Sportet me dorë

U pensionua Sedat Gashi, ish-hendbollist i gjeneratës së artë dhe inxhinier i shkëlqyeshëm

 

Ishte vetëm 15-vjeçar kur në fushën e hapur skaj Kombinatit të Duhanit me kërshëri shihte ndeshjet e hendbollit, të cilat atëkohë zgjonin interesim të madh. Sedat Gashi që nga ajo kohë vendosi që të nis ushtrimet në këtë sport, në të cilin qëndroi plot 22 vite si lojtar aktiv, që nga viti 1975 e deri më 1997 shkruan Radio Star.

Që i ri si lojtar i Klubit të Hendbollit Bozhur nga Gjilani, Sedat Gashi u kishte rënë në sy njohësve të hendbollit, andaj ai kishte marrë ftesë që të jetë pjesë e reprezentacionit të të rinjve të Kosovës e më pas edhe në ekipin e seniorëve. Në kujtesën e hendbolldashësve në Gjilan kanë mbetur lojërat e shkëlqyeshme të KH Bozhurit që garonte në Ligën e Dytë Federarative të ish-Jugosllavisë, shtet që atë kohë dominonte hendbollin botëror.

Më pas, Sedat Gashi luajti edhe në Jugoterm, kurse pas pavarësimit të hendbollit kosovar në KH Drita. Tashti, ndonëse në kohë të vështira për sportin, KH Drita ishte organizatore e shumë garave të hendbollit të pavarur e Sedat Gashi si një ndër lojtarët më në moshë dhe kapiten i ekipit dha kontribut të çmueshëm, kohë kur Drita ishte shpallur kampione dhe kur më 1997, Sedat Gashi pas një karriere të bujshme kishte vendosur të lë lojën aktive si hendbollist.

Pos hendbollit, Sedat Gashi asnjëherë nuk i është ndarë mësimit dhe shkollimit të tij profesional dhe që në moshën 22-vjecare nisi punën si inxhinier i ndërtimeve të ulëta në Kompaninë “Morave e Binçës”, duke kontribuuar që Gjilanit dhe fshatrave të tij, por edhe qyteteve anekënd Kosovës t’i jap shumë projekte. Në këtë profesion, ai vazhdoi të punojë deri në pensionimin e tij, kurse edhe sot me vëmendje përcjell zhvillimet në hendboll, i cili nuk e ka cilësinë që e kishte dikur, por që Sedati beson se shumë shpejt do t’i kthehet fama këtij sporti, që dikur ishte shumë i dashur ndër gjilanas./Radio Star/

KH Drita 1996
KH Drita 1997

You Might Also Like