Ekipi i vajzave të Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, është shpallur kampion i Kosovës në basketboll për shkollat e mesme në Kosovë, ngase në garat që janë mbajtur në Palestrën e Sporteve “1 tetori” në Prishtinë, ato kanë dalë më të mirat, duke i mposhtur radhadhzi të gjitha konkurrentet nga rajonet tjera të Kosovës.
Fillimisht gjimnazistet gjilanase kanë ngadhënjyer bindshëm në garat komunale, pastaj edhe në ato rajonale, duke i mposhtur bindshëm të gjitha kundërshtaret, për të vazhduar me lojëra të mira edhe në nivel vendi.
Fillimisht vajzat e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeeti” ishin më të mira se bashkëmoshataret e tyre nga gjimnazi i Ferizajt me rezultat 13:12, më pas ato u ndeshën me Gjimnazin e Prishtinës “Sami Frashri” të cilat i mposhën me rezultat 30:22, kurse në fund ishin më të mira se Gjimnazi i Gjakovës “Hajdar Dushi” me rezultat 16:8.
Reshat Syla, profesor i Kulturës Fizike dhe Sportit, njëherit trajner i këtyre vashave, ka theksuar se pos lojërave të mira, këto vasha kanë treguar edhe nivel të lartë të kulturës. Ai thotë që deri më tashti, qytetit të Gjilanit t’i ketë sjellë pesë tituj kampioni në sporte shkollore.
Bekim Mustafa, drejtor i Gjimnazit natyror, i ka përgëzuar vashat për suksesin e arritur dhe ka thënë se ato e kanë përfaqësuar denjësisht Gjilanin dhe atyre u dëshiroi suksese edhe në të ardhmen. Për këto vasha janë ndarë kupa, medalje e mirënjohje.
Ekipi i të Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” është përbërë nga lojtaret: Anesa Korca, Zyhrije Pireva, Anilë Selmani, Olta Zymberi, Elmaze Behluli, Rigesa Jashari, Mikena Asllani, Syarta Pajaziti dhe Hava Zylfiu. Trajnerë: Reshat Syla, Selami Haziri.