Shkruan: XHYLIJE IBRAHIMI
Në Kosovë, sivjet mbahen zgjedhjet e shtata me radhë, pas luftës, për pushtet lokal. Një punë e mirë në filtrimin e kandidatëve, është bërë nga KQZ-ja, por filtrimin më të mirë duhet ta bëjë vetë populli, më 22 tetor, kur vendos se kush do ta udhëheq e përfaqësojë në katër vitet e ardhshme.
Kjo mundësi nuk jepet shpesh, prandaj duhet të shfrytëzohet maksimalisht. Kësaj here, më shumë se asnjëherë tjetër.
Qytetarët që joshen nga premtime të përsëritura, nga persona të njëjtë, në stilin “hajt ta provoj edhe kësaj here”, nuk kanë të drejtë të ankohen, sepse, në të vërtetë, ata janë mashtrues të vetvetes. Fatkeqësisht, shumica prej nesh po vazhdojmë të (vetë)mashtrohemi.
Kandidatët të cilët garojnë për pushtet, duhet të jenë persona me dinjitet dhe integritet personal. Nuk mjafton të thonë “na jepni mundësinë që t`ju shërbejmë”.
Disave prej tyre, mundësinë ua kemi dhënë më tepër se njëherë, por ata, më shumë se sa interesat tona, kanë mbrojtur interesa personale, familjare, partiake, të miqve e ortakëve, të bosëve dhe klaneve të tyre.
Ata që kanë blerë fabrika, duke qenë në pushtet dhe, nën betim se do të përfaqësojnë dhe mbrojnë vetëm interesat e qytetarëve, nuk meritojnë për së dyti besimin e qytetarëve. Të tillët, na shohin vetëm si votues, asgjë më shumë. Kjo botë është edhe e jona, po aq sa e atyre që epërsinë e kanë arritur përmes mashtrimit dhe nuk duhet të lejojmë të jemi vetëm numra për (keq)përdorim nga politika.
Pushteti duhet t`u jepet njerëzve që punojnë për të mirën e përgjithshme.
Nga përvoja kemi parë se disa politikanë, sapo kanë ardhur në pushtet, janë sjellë me ne sikur të mos kishim jetuar në të njëjtin qytet, sikur të mos kishim shkuar në të njëjtën shkollë, me disa prej tyre, sikur të mos kishim ecur të njëjtave rrugica, duke e shpërfill skajshëm besimin tonë.
Jo më!
Populli duhet t`i kalojë në sitën e vetë kandidatët të cilët garojnë për pushtet, qoftë për kryetar Komune, qoftë për anëtarë të Kuvendeve Komunale. Patjetër. Këtë 22 tetor.
(Autorja është master i arteve për politikë ndërkombëtare dhe diplomaci)