Ka nisur “Vjeshta letrare 2016”, manifestim kulturor ky që organizohet nga ARS Club “Beqir Musliu” nga Gjilani. Ky manifestim ka nisur me promovimin e librit “Vlerësime dhe opinione” të autorit Izmi Zeka, që është libri i katërt i këtij autori, që u kushtohet ngjarjeve dhe figurave historike, por edhe zhvillimeve më të fundit politike.
Sabit Rrustemi, kryetar i ARS Club “Beqir Musliu”, ka thënë se kjo ngjarje letrare koincidon ma datëlindjen e autorit dhe ky libër promovohet në kuadër të “Vjeshtës Letrare”, e cila i ka dhënë imazh të mirë qytetit të Gjilanit, qytet ky që duhet t’a ruaj, mbroj e sforcoj këtë imazh kulturor. Sipas Rrustemit, ARS Club dhe “Vjeshta letrare” kanë tubuar emra të shquar të letrave shqipe si dhe prezantime të shumta letrare dhe është zotuar se do të promovohen edhe libra të tjerë.
Nexhat Rexha, redactor i librit, tha se ky libër është rezultat i kërkimeve he hulumtimeve të autorit. Libri është i ndarë në pesë kapituj dhe në të ka trajtime historike e aktuale dhe ku ndërlidhen ngjarje të periudhave të ndryshme, sikurse që ndriçohen ngjarje e personalitete të harruara.
Dr. Faik Shkodra, ka thënë se autori ka përfshirë disa trajtesa të karakterit kombëtar, politik, shkencor, kulturor e arsimor. Shkodra tha se Zeka shpërfaq ide e vlerësime, hedh dritë për shumë figura historike e të tashme. “Zeka në mënyrë të sinqertë paraqet përkushtimin e tij kombëtar, me plot dëshmi realiste të të djeshmes dhe të sotmes”, tha dr. Faik Shkodra.
Vetë autori, Izmi Zeka, tha se shqiptarët janë në kohën e vet, kurse ai tha se vlerësimin më të mirë për librin do t’a japin lexuesit, pasi ta kenë lexuar atë.