Dy ekipe me ambicie të ndryshme, Vllaznia e Pozharanit dhe Liria e Prizrenit janë ndarë me rezultat të barabartë në ndeshjen e zhvilluar në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, rezultat ky që nuk i konvenon asnjërës palë. Vllaznisë i duheshin pikët e plota për të zënë hapin me Flamurtarin dhe Besën në luftën për barazh, e Lirisë pikët i duheshin që t’i afrohej Prishtinës dhe Dritës në luftën për titull.
Mirëpo, në terrenin e rrëshqitshëm asnjëra nga ekipet nuk ia doli të shënojë, andaj u ndanë me rezultat të bardhë 0:0.
Në pjesën e parë Liria ka rrezikuar e para, por Mevlan Zeka ka gjuajtur jashtë portës, kurse Vllaznia pati tri raste të mira me Muratin, Idrizin e Brutin, por pa arritur të shënojë.
Në pjesën e dytë të ndeshjes ka dominuar Liria dhe nga rastet e shumta një herë ka qëlluar shtyllën me Korenicën, kurse Toungara nuk realizoi në portën e zbraztë, gjuajtjen e Meganit e priti Gashi, i njëjti lojtar në rastin tjetër gjuajti jashtë porte, kurse në rastin e tij të tretë Pantina dëboi topin nga vija fatale, derisa Vllaznimi në pjesën e dytë pati dy raste në fillim dhe në fund, por që Kastrati gjuajti mbi portë e Hoxha për pak në fund sa nuk arriti gjahun e plotë për ekipin vendas.