Gjilan

Xhemajli: AAK po jep kontribut të madh në Kuvend

Kemi dhënë kontribut të dobishëm në çështjet me interes për qytetarët, ka thënë Selami Xhemajli i AAK-së.

Në vazhdim të konferencave të shefave të grupeve të këshilltarëve komunalë, që po i organizon Zyra për Informim, vlerësimet e tij për punën e Kuvendit Komunal, për gjashtëmujorin e parë të vitit, i ka paraqitur Selami Xhemajli (AAK), i cili ka folur për rolin e këshilltarëve të këtij subjekti, të grupit të këshilltarëve dhe të koalicionit qeverisës.

“Ne vlerësojmë se Kuvendi Komunal i Gjilanit, në përputhje të obligimeve ligjore dhe në harmoni me përgjegjësitë e veta, ka arritur t`i përmbush të gjitha detyrat e parapara me planin vjetor të punës, për këtë periudhë, duke trajtuar çështje dhe marrë vendime në interes të qytetarëve”, ka thënë Xhemajli.

Po ashtu, ai konsideron se është arritur një zhvillim i kënaqshëm i demokracisë brenda Kuvendit, duke marrë parasysh hapësirën për debat që u jepet anëtarëve, pa dallim, në trajtimin e temave të caktuara.

Si shembull për këtë, ai ka përmendur seancën e fundit të këtij gjashtëmujori, ku janë futur në rend dite për debat të gjitha çështjet që janë propozuar nga opozita.

Shefi i grupit të këshilltarëve të AAK-së, e ka vlerësuar edhe kontributin e komiteteve, si trupa ndihmëse, në mbarëvajtjen e punës së Kuvendit Komunal, sikurse që rol të rëndësishëm në fuqizimin e vendimmarrjes komunale, kanë edhe këshillat lokalë, ka thënë ai.

“Andaj, vlerësojmë se ky funksionalitet i Kuvendit i siguron ekzekutivit mundësi më të mëdha që të fokusohet në zgjidhjen e shumë çështjeve, të cilat janë në interes të qytetarëve”, ka thënë Xhemajli.

Sa i përket angazhimit të grupit të këshilltarëve të AAK-së, ai mendon se ka dhënë një kontribut të mirë si në Kuvend, ashtu edhe në komisione e komitete. “Kemi qenë unikë në analizimin, vlerësimin dhe mbështetjen e projekteve të ekzekutivit, si dhe të gjitha çështjeve tjera, ku keni

vlerësuar se janë interes i qytetarëve. Bashkëpunim të mirë kemi pasur edhe me partnerin e

koalicionit, si dhe me te gjitha subjektet tjera që përfaqësohen në Kuvend”, ka thënë ai.

Përndryshe, ky subjekt mban postin e nënkryetarit të Komunës si dhe udhëheq me dy drejtori komunale, të cilat, sipas Xhemajlit, kanë kryer obligimet e veta me shumë sukses.

“Bazuar në punën dhe angazhimin e deritashëm, si pjesë e koalicionit qeverisës, vlerësojmë se kemi dhënë kontributin tonë të dobishëm në zgjidhjen e shumë çështjeve që janë në interes të qytetarëve. Meritë për këtë punë tonën të mirë, ka edhe kryetari, për hapësirën dhe përkrahjen që na jep në ushtrimin e funksioneve në drejtoritë përkatëse”, ka thënë Selami Xhemajli.

Ai është përgjigjur edhe në interesimet e gazetarëve.

AAK përfaqësohet në vendimmarrjen komunale me katër këshilltarë komunalë dhe është partner i koalicionit në qeverisje.

You Might Also Like