KF Vllaznia e përmbylli sezonin 2025/26 në Ligën e Dytë të Kosovës duke u renditur në vendin e tretë me 84 pikë nga 34 ndeshje. Ky rezultat u arrit falë 27 fitoreve, 3 barazimeve dhe vetëm 4 humbjeve. Pavarësisht paraqitjeve shumë të mira dhe numrit të madh të pikëve të grumbulluara, kjo nuk mjaftoi për të siguruar inkuadrimin në Ligën e Parë. Kjo dëshmon se sezoni 2025/26 ishte një nga kampionatet më të forta dhe më konkurruese të viteve të fundit.
Një tjetër statistikë mbresëlënëse ishte paraqitja e ekipit në ndeshjet si vendas. Nga 17 ndeshje të zhvilluara në stadiumin “Ibrahim Kurteshi”, Vllaznia regjistroi 16 fitore dhe vetëm një barazim, duke e përmbyllur sezonin pa asnjë humbje në fushën e vet.
Sipas kryetarit të klubit, Halit Alidema, përgatitjet për sezonin e ri 2026/27 po zhvillohen me seriozitetin më të madh. Ai bëri të ditur se stërvitjet do të nisin shumë shpejt, ndërsa kryesia e klubit tashmë ka përcaktuar objektivat dhe po punon sipas planit të hartuar.
Synimi kryesor i KF Vllaznia mbetet i pandryshuar – inkuadrimi në Ligën e Parë të Kosovës. Edhe në sezonin e ri skuadra do të udhëhiqet nga trajneri Përparim Livoreka, i cili me sukses drejtoi ekipin gjatë kampionatit të kaluar. Njëkohësisht, klubi pritet të përforcohet me futbollistë të rinj, të cilët do të kenë rol të rëndësishëm në realizimin e objektivave dhe ambicieve të Vllaznisë për ngjitjen në Ligën e Parë të Kosovës.
Aziz Zuka




