PDK, është subjekti i tretë politik që ka bërë kandidaturën për kryetar të Gjilanit. Zenun Pajaziti, deputet dhe kryetar i degës së PDk-së në Gjilan është kandidat i këtij subjekti politik për t’u bërë kryetar i Gjilanit dhe tashmë dihet se ai për rival do të ketë kandidatin e tashëm të Gjilanit, Lutfi Haziri (LDK) dhe deputetin Sami Kurteshi (VV).
Nominimin e Pajazitit për kryetar nga ana e PDK-së e ka bërë të ditur vetë i kandiduari në profilin e tij në facebook, ku ndër të tjera ai ka shkruar:
Me 22 tetor do t’i japim fund periudhes se izolimit të Gjilanit dhe Anamoravës. Qytetarët e Gjilanit nuk e kanë merituar këtë trajtim dhe nëpërkëmbje. Do të punoj pa u ndalur asnjë moment, që Gjilani dhe Anamorava të fuqizohen dhe zhvillohen sa më shumë sepse qytetarët tanë janë më punëtorët dhe kanë traditë të punës.
Të nderuar bashkqytetarë të Gjilanit, unë mbrëmë kam marr përgjegjësi dhe jam nderuar nga Kryesia e Degës së PDK-së në Gjilan e cila unanimisht ka vendosur që unë të jem kandidat për kryetar të Gjilanit. Kjo është një përgjegjësi që e kam pranuar menjëherë sepse kam dëshirë të shërbej dhe të jap kontributin tim direkt përmes qeverisjes lokale në qytetin tonë. Deri më 22 Tetor unë dhe ekipi i Partisë Demokratike do të jemi të angazhuar që të hartojmë platformën qeverisëse bashkë me qytetarët, nga bashkëbisedimet në secilën lagje të qytetit dhe në të gjitha fshatrat tona, në mënyrë që propozimet e qytetarëve të bëhen pjesë e programit qeverisës për katër vitet e ardhshme.