Festa e 1 majit, në kalendarin vjetor është festë zyrtare dhe në mungesë të organizimeve për kushte më të mira në punë shumë qytetarë e shfrytëzojnë këtë festë për të qëndruar e pushuar në shtëpi.
Mirëpo, ka biznese që edhe këtë ditë e shohin si të atillë për të përfituar dhe rëndom ato organizojnë ditë e mbrëmje festive me “muzikë në kupë të qiellit”. Kjo sidomos është e theksuar në lagjen “Dardania” në Gjilan, ku disa nga subjektet – kafiteritë nuk i respektojnë kushtet për ndalimin e zhurmës në qytet, bile as në pikë të ditës.
Këtë të hënë, qytetarët e kësaj lagje janë ankuar se muzika shurdhuese është dëgjuar shumë larg dhe ka qenë e padurueshme, ndërkohë që ata që janë përgjegjës për parandalimin e kësaj dukurie nuk janë parë askund.
“Muzika e lartë është dëgjuar nga rruga “Muharrem Ibrahimi” e deri te Shkolla e Mesme e Ultë “Selami Hallaqi”, ka theksuar një qytetar i revoltuar, i cili kishte lëshuar shtëpinë e vet duke mos mundur të durojë. Ky është një problem shtesë për banorët e kësaj lagje, të cilët në këto ditë flladi të pranverës nuk po mund t’i shijojnë ditët duke qëndruar në balloknet e tyre, ndërkohë që adhuruesit e muzikës së lartë po ua bllokojnë edhe dyer e shtëpisë, duke parkuar veturat vend e pa vend, andaj kërkojnë që inpeksioni të veprojë.