Sot është ditë e veçantë. Një lindje që tani i përket historisë. Isha i ri kur ti vdiqe, kur plumbat breshëri ranë mbi ty. Ishte një natë e trishtueshme e 17 janarit të vitit 1982. Gjithçka tani më duket si ëndërr . Isha në moshën të re kur ende ndëgjoja për të bëmat e Bajram Currit, Azem Bejtës, Avni Rrustemit. Një natë që tani nuk di ta përshkruaj. Shushurima në shtëpi. Sjellje të familjes andej e këndej. Ishte heshtje. E unë vetëm shiqoja sikur i humbur dhe nuk e kisha mundësinë të dija se cfarë po ndodh në shtëpi. Pëshpëritjet dëgjoheshin pa ndalur.Ishte e diel ditë pushimi. Gjyshi dhe gjyshja ime ende se kishin marr lajmin e dhimbshëm. Kadriu ishte vrarë bashkë me vëllezërt Gërvalla në Untergrupenbah të Shtutgardit në Gjermani. Asnjëri prej vëllezërve të Kadriut nuk donte ta besonte vdekjen e vëllait më të ri. Lëvizjet e njerëzve dhe të afërmëvë sa vinin e shtoheshin. Mbretëronte heshtje. Secili kishte dëgjuar në mënyrën e vet. Familja jonë tani përballej me një përvojë të re dhe dhimbje të papërballueshme. Në shtëpi ishin Nuhi Berisha, Ahmet Isufi e shumë të tjerë. Goditja ishte e madhe sa që sot unë e kam të vështirë ta përshkruaj momentin e lajmit për vrasjen e Agjës diku larg familjes. Gjyshi im Pajaziti ose sic e quanin Zit Policka kishte dicka te veçantë nga tradita shqiptare. Ai nuk jepej edhe pse mund te kuptohej që shpirti i përvëlonte. Kurse gjyshja fliste butë dhe thjeshtë. Ajo thoshte “Nëse është vrarë si burrat nëna asnjë pikë loti se qet”. Kështu dhe ndodhi. A gjyshit tim kurrë nuk ia pash lotin. Ndoshta edhe jeta e rënda e kishte mësuar të bëhej i fortë. Vëllezërti e Kadriut ,Shaipi (babi im) Xhela dhe Taipi silleshin në dhomë dhe nuk flisnin fare. Kadriu ishte sugari i familjes i përkëdheluri i shtëpisë. Kishin ikur katër vite pa e parë familja jonë. Ajo kohë ishte e vështirë. Sorollateshin afër shtëpive tona njerëzit e UDB-së. Në këto momente të vështira për familjen vinin miqtë e familjes dhe të afërmit tonë për të na dhënë kurajo për rënjen e Kadriut. Vrasja në Shtutgard dhe largësia prej Kosove e bënte edhe më të vështirë rënjen e tij për ne.Fjalët ishin të ndryshme rreth vrasjes. Presioni i UDB-së ishte i madh. Por ne, gjithnjë po flas për familjen ishim të përgatitur sepse vetë rruga e nisur ishte me sfida. Kujtojmë, ishte viti 1982 , janari i acartë me një dimër të vështirë. Edhe më e rëndë ishte se pikërisht 3 muaj më parë Selim Brosha një krye UDB -ash babait tim i kishte thënë “nëse nuk e sjellni Kadri Zekën në shtëpi ne do ta vrasim”. Ishte paralajmërim i një fortune për familjen tonë. Sot kur e kujtoj atë ditë janari të ftoftë trupi më tërqethet. Ishte një rënie që familjes sonë i dha forcë dhe pathyeshmëri në rrugën e më pastajme. Loti nuk shihej në familje. Kadriu u varros së bashku me vëllezërit Gërvalla në Untergrupenbah Të Gjermanisë. Nuhiu Berisha ishte pjesë e familjes sonë .Gyshen tonë e kishte hallë. Ai në një moment kishte thë se “Unë do të nxjerr hakun e Kadriut” Ajo natë e janarit të 17 e mbrëmjes së vonë ndryshoi shumëçka si tek ne ashtu edhe te qenja shqiptare. Sot më duket si ëndërr. Ikën vite të shumta dhe dhimbja nderlidhet me idealin dhe shtetine Kosovës. Më dalin para syve gjyshi e gjyshja që tani nuk janë më . Burrëria e gjyshit dhe qëndresa e gjyshes tani më duken sikur në balada apo këngët kreshnike. 17 janari isht5e i trisht i dhimbjes së madhe na ktheu tek heronjtë . Unë si fëmijë u rrita me dijen xhaxhait dhe rrugën e nisur pa pasur dilema.
Izmi Zeka