Në Gjilan u promovua vepra “Frymëzime Islame në Këngët Popullore” e studiuesit Dr. Adem Zejnullahu
Në ambientet e Shtëpisë-Muze të Gjilanit, u mbajt promovimi i veprës “Frymëzime Islame në Këngët Popullore”, të studiuesit të mirënjohur shqiptar Dr. Adem Zejnullahu.
Në këtë aktivitet kulturor e shkencor morën pjesë studiues, krijues, përfaqësues institucionesh fetare, artdashës dhe qytetarë të shumtë, të cilët e bënë promovimin një ngjarje me vlerë të veçantë për kulturën dhe trashëgiminë shqiptare.
Rreth vlerave të veprës folën Dr. Hysen Matoshi, poeti dhe studiuesi i folklorit popullor nga Medvegja, Prof. Rexhep Abazi, si dhe Xhemajl Berisha, i cili njëherësh udhëhoqi programin e promovimit. Me fjalë vlerësuese për rëndësinë e librit u paraqit edhe drejtori i botimeve të Diturisë Islame nga Prishtina, z. Ramadan Shkodra, ndërsa kryeimami i Kosoves, Vedat Sahiti, theksoi se botimi i kësaj vepre është një kontribut i çmuar për ruajtjen e një segmenti të rëndësishëm të historisë sonë, që të mos humbasë, por të mbetet i dokumentuar për brezat që vijnë.
Të gjithë folësit u pajtuan se fjalët janë të pakta për të përshkruar vlerën artistike, kombëtare dhe historike të kësaj vepre. Në faqet e saj është ruajtur kujtesa historike e popullit shqiptar, ngjarjet, sakrificat dhe përjetimet që janë përcjellë brez pas brezi përmes këngës popullore. Mesazhi i promovimit ishte i qartë: një popull që harron të kaluarën e tij, rrezikon të humbasë identitetin dhe mësimet e historisë. Pikërisht përmes odave, kuvendeve dhe këngëve popullore, të parët tanë kanë lënë dëshmi të gjalla për çdo brez.
Atmosferën e promovimit e pasuruan edhe shahirët, të cilët interpretuan këngë të përzgjedhura nga vepra, duke sjellë para të pranishmëve frymën autentike të traditës sonë popullore.
Promovimi u shndërrua në një manifestim kulturor që dëshmoi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore dhe folklorike shqiptare, duke vlerësuar punën shumëvjeçare të autorit.
Në fund, u shpreh mirënjohje e veçantë për autorin Dr. Adem Zejnullahu, si dhe për Shtëpinë Botuese “Logos-A” nga Shkupi dhe Shtëpinë Botuese “Dituria Islame” nga Prishtina, për kontributin e tyre në botimin e kësaj vepre me vlera të mëdha. Njëkohësisht, u shpreh dëshira që edhe në të ardhmen të botohen sa më shumë vepra të këtij karakteri, të cilat pasurojnë kulturën, historinë dhe identitetin kombëtar e fetar të shqiptarëve.





