Muzikë

Vitia mirëpret edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit “N’Karadak Krisin Tupanat”

Sot, në Viti, u mbajt tryeza e rrumbullakët dhe ceremonia solemne e hapjes së edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit “N’Karadak Krisin Tupanat”, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore që promovon vlerat e trashëgimisë shpirtërore, dialogun ndërkulturor dhe miqësinë ndërmjet popujve.
Në hapje të festivalit, drejtori i këtij festivali, Arsim Abazi, u uroi mirëseardhje të gjithë pjesëmarrësve dhe mysafirëve, duke falënderuar institucionet mbështetëse, partnerët dhe të gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite në organizimin dhe zhvillimin e këtij festivali, i cili tashmë është shndërruar në një ngjarje të rëndësishme kulturore me karakter ndërkombëtar.
Në emër të komunës së Vitisë të pranishëm në këtë tryezë ishte kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti i shoqëruar nga drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Valmir Sahiti.
Me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua edhe kryetari i Haliti, i cili theksoi se është nder i veçantë që Vitia është nikoqire e këtij festivali, duke mirëpritur artistë dhe ansamble folklorike nga vende të ndryshme të botës.
Ai vlerësoi se për disa ditë me radhë, Vitia shndërrohet në një pikëtakim të kulturave, traditave dhe miqësive, duke u bërë epiqendra e kulturës, ku ritmet, vallet, kostumet tradicionale dhe vlerat shpirtërore të shumë kombeve bashkohen në një atmosferë të jashtëzakonshme.
Kryetari Haliti theksoi se festivali nuk është vetëm një aktivitet artistik, por një urë që lidh popujt, promovon dialogun ndërkulturor dhe dëshmon se kultura mbetet gjuha universale që bashkon njerëzit pa dallim kombësie, gjuhe apo besimi.
Në fjalën e tij, ai shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e ansambleve nga Panamaja, Peruja, Polonia, Portugalia, Turqia, Meksika, Qiproja Veriore, Egjipti, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova, duke vlerësuar se prania e tyre e pasuron festivalin dhe e fuqizon karakterin e tij ndërkombëtar.
Gjithashtu, kryetari Haliti falënderoi organizatorët e festivalit, në veçanti drejtorin Arsim Abazi, për përkushtimin dhe vizionin në ngritjen e këtij aktiviteti në një nivel të lartë organizativ, si dhe shprehu mirënjohje për CIOFF-in për kontributin e vazhdueshëm në ruajtjen, promovimin dhe shkëmbimin e trashëgimisë kulturore folklorike në mbarë botën.
Ai ritheksoi se Komuna e Vitisë do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm kulturën, artin dhe trashëgiminë kulturore, duke e konsideruar investimin në kulturë si investim në identitetin kombëtar, edukimin e brezave të rinj dhe promovimin e Vitisë si një komunë mikpritëse me vlera të pasura kulturore dhe turistike.
Në kuadër të këtij aktiviteti u mbajt edhe tryeza e rrumbullakët, ku u diskutua për rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, rolin e festivaleve folklorike në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe ndikimin e tyre në promovimin e diversitetit kulturor.
Edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit “N’Karadak Krisin Tupanat” do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me një program të pasur artistik e kulturor, duke sjellë në Kosovë ngjyrat, traditat dhe folklorin e shumë vendeve të botës dhe duke e shndërruar qytetin në një qendër të rëndësishme të kulturës dhe miqësisë ndërkombëtare. Aziz Zuka

You Might Also Like