Pas fitores së thellë 4:1 në San Marino ndaj Tre Fiori, Drita praktikisht e ka kaluar edhe një raund në Europa Conference League dhe sigurt po marshon drejt suksesit që e pati në stinorin e kaluar, në këtë garë që konsiderohet e treta për nga cilësia në Evropë.
Në dukje të parë, kur shihet se me kë po përballet ekipi bardhë e kaltër, sikur atë po e përcjellë fati, ngase po eliminon kundërshtarë të lehtë. Mirëpo, ardhja në këtë përfundim është e gabuar dhe nuk është punë fati, edhe pse fati në sport është pjesë e lojës.
Për të mbërri deri te kjo ditë, Drita më herët ia ka bërë “hyzmetin”, ngase në të kaluarën, në Evropë ka patur rezultate të mira, sikurse që nisja e garave nga të qenit kampion është shumë më e favorshme.
Një gjë dihet, në bazë të rregullave të UEFA-së, sa më mirë që paraqitesh në Evropë, aq më shumë përmirësohet pozicioni i ekipit në garat e ardhshme dhe është pikërisht koeficienti i Dritës që në short po i shmang ekipet e forta. Drita ka koeficient më të mirë se shumë klube të vogla evropiane, sidomos pas paraqitjes së sezonit të kaluar. Kjo e vendosi atë në pozicion më të favorshëm në short.
Kështu paraqitja e mirë e Dritës në Evropë sezonin e kaluar ishte shumë e rëndësishme. Drita arriti fazën e ligës së Conference League dhe më pas edhe play-off-in eliminues, që ishte një arritje historike për një klub kosovar.
Andaj, kur sivjet u ndanë ekipet në të favorizuara dhe të pafavorizuara, sipas koeficientit të klubit, Drita u vendos në këtë të parin dhe ekipet e favorizuara në fillim mund të ndeshen vetëm me kundërshtarë nga grupi i pafavorizuar. UEFA e përdor këtë sistem edhe në Conference League 2026/27.
Koeficienti nuk varet vetëm nga sezoni i kaluar dhe pikërisht këtu Drita po ia sheh hairin rezultateve në Evropë ndër vite e që i kanë ndihmuar të krijojë një pozicion më të mirë në short.
Nëse ndeshjen e kthimit që do të luhet në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e cilësojmë si punë të kryer, në ndeshjen e radhës Drita do të përballet me fituesin e ndeshjes Flora Tallin – Inter Club d’Esclades, në të cilën rezultati i ndeshjes së parë ishte 0:2. /kryelajmi.com/.



