Në shenjë nderimi, respekti dhe mirënjohjeje për jetën dhe veprën e heroit Nuhi Berisha, me rastin e 65-vjetorit të lindjes së tij, u organizua Turneu Revial i Karatesë, një aktivitet sportiv dhe përkujtimor që bashkoi të rinj, sportistë, trajnerë dhe dashamirës të karatesë.
Në këtë turne morën pjesë karateistë nga klubet Drita, AS dhe Arbëria, të cilët para të pranishmëve demonstruan përgatitjen, disiplinën dhe shkathtësitë e tyre në disiplinën e kata-s. Përmes paraqitjeve të tyre u dëshmua se sporti vazhdon të edukojë brezat e rinj me vlera të larta njerëzore, sportive dhe atdhetare.
Programin e karateistëve e udhëhoqi kryetrajneri i Klubit të Karatesë Drita, Blerim Hajdari, i ndihmuar nga trajneri i Klubit të Karatesë Arbëria, Nexhmedin Isufi, të cilët u kujdesën për mbarëvajtjen dhe organizimin e demonstrimeve sportive.
Në hapje të aktivitetit, para të pranishmëve foli Ahmet Isufi, i cili evokoi jetën dhe veprën e heroit Nuhi Berisha. Ai foli për rrugëtimin, përkushtimin patriotik dhe kontributin e tij në shërbim të çështjes kombëtare, duke theksuar se Nuhi Berisha ishte shembull i guximit, sakrificës, disiplinës dhe dashurisë për atdheun.
Pjesë e veçantë e turneut ishte paraqitja e karateistëve të rinj, të cilët me seriozitet dhe përkushtim dëshmuan nivel të mirë të përgatitjes sportive, duke fituar duartrokitjet e të pranishmëve. Ky aktivitet tregoi se sporti nuk shërben vetëm për zhvillimin fizik, por edhe për edukimin e brezave me frymën e respektit, përgjegjësisë dhe bashkëpunimit.
Në përfundim të turneut, Drejtoria për Rini, Kulturë dhe Sport ndau mirënjohje për të gjithë karateistët pjesëmarrës, duke vlerësuar kontributin e tyre në këtë aktivitet përkujtimor.
Momenti më emocional ishte ndarja e mirënjohjes post mortem për heroin Nuhi Berisha, për kontributin e tij të çmuar ndaj atdheut dhe për avancimin e sportit të karatesë. Mirënjohja u nda nga kryetari i Klubit të Karatesë Drita, Arsim Ibrahimi, ndërsa në emër të familjes së heroit e pranoi Nipi i tij, Bajram Nuhiu, njëherësh edhe organizator i këtij turneu.
Ky aktivitet dëshmoi se sporti është një urë që lidh historinë me të ardhmen. Duke nderuar figurat që sakrifikuan për lirinë e vendit, brezat e rinj mësojnë të çmojnë vlerat e patriotizmit, disiplinës, respektit dhe përkushtimit.
Lavdi e përjetshme heroit Nuhi Berisha! Qoftë i paharruar kujtimi dhe vepra e tij, ndërsa brezat e rinj le të frymëzohen gjithmonë nga shembulli i tij përmes sportit, edukimit dhe dashurisë për atdheun.




