E premtja e 22 nëntorit 1996 në gazetën “Bujku” kishte zbardhur me lajmin kryesor në ballinë, “Vdiq prof. dr. Xhavit Ahmeti”, artikull i cili vazhdonte edhe në faqen e dytë të kësaj gazete. Ajo shkruante se në fatkeqësinë e komunikacionit u lënduan rëndë edhe sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, mr. Fatmir Sejdiu, dhe shoferi i veturës, Agim Spanca, e lëndime të lehta mori edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hydajet Hyseni.
Aksidenti kishte ndodhur rreth orës 8 të mëngjesit në autostradën Nish-Beograd, ku jepej deklarata e Hydajet Hysenit, se aksidenti u shkaktua nga një kamion në afërsi të qytetit Smederevë. dr. Xhavit Ahmeti, ishte transportuar menjëherë në Klinikën Neurokirurgjike të Beogradit, ku sipas këtij burimi të informimit ai nga pasojat e përplasjes së automobilit me kamionin kishte ndërruar jetë rreth orës 11 e 30 minuta. i ndjeri, prof. dr. Xhavit Ahmeti ishte deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës, këshilltar për Arsim i Presidentit të Republikës së Kosovës, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe profesor ordinar në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore të Universitetit të Prishtinës.
Nga Presidenca njoftohej se ky delegacion i lartë i Republikës së Kosovës ishte nisur për në kryeqytetin serb të takohej në disa ambasada, perëndimore. Supozohet se takimet e tyre ishin parapar të bëheshin me qëllim të njoftimit rreth gjendjes në arsimin shqip në Kosovë.
Më pas ishte formuar këshilli i varrimit në të cilin ishin dr. Ibrahim Rugova, dr. Fehmi Agani, Adem Demaçi, Hydajet Hyseni, dr. Idriz Ajeti, dr. Mark Krasniqi, Bajram Kosumi, prof. dr. Ejup Statovci, dr. Esat Dauti, mr. Abdyl Ramaj, dr. Alush Gashi dhe mr. Rexhep Osmani. U njoftua se të premten, në orën 11, në lokalet e Presidencës së Republikës së Kosovës do të mbahet mbledhja komemorative.
Gazeta publikoi edhe reagimet e njerëzve eminentë të asaj kohë ne Kosovë. Prof. dr. Esat Dauti, dekan i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore, prof. dr. Xhavit Ahmetin e kishte cilësuar shtyllë e Seksionit të Kimisë, shkencëtar të përmasave kombëtare. Prof. dr. Ramadan Zejnullahu, prodekan i FSHMN, për dr. Xhavit Ahmetin kishte thënë se ishte ndër figurat më të rëndësishme të Universitetit të Prishtinës. Për Xhemajl Mustafën, këshilltar për informim të presidentit, vdekja e dr. Xhavit Ahmetit ishte humbje e madhe për lëvizjen, shtetin dhe arsimin shqip e fjalë miradije për dr. Xhavit Ahmetin kishin thënë edhe dr. Alush Gashi, Mehmet Hajrizi, atëherë anëtar i kryesisë së LDK-së, profesorë e student, ndërkohë që presidentit Ibrahim Rugova ngushëllime i kishin dërguar Sali Berisha, president i Shqipërisë, Aleksandër Meksi, kryetar i Këshillit të ministrave të Shqipërisë e personalitete të tjera.
“Bujku” kishte botuar edhe një biografi të Prof. dr, Xhavit Ahmetit, të shoqëruar me një fotografi, kurse gazetari gjilanas Ilmi Musliu kishte botuar dy shkrime njërin me titull “Vdiq duke mbrojtur shkollat shqipe” dhe tjetrin mbi një paraqitje të fundit të dr. Xhavit Ahmetit në Gjilan. /Enver Sadiku – kryelajmi.com/.





