Dy trajnerët, Zekirija Ramadani dhe Ardian Nuhiu viteve të fundit kanë bërë emër në Kosovë, por rrugëtimi më interesant në Kosovë ishte në qytetin e Gjilanit për faktin se të dy kanë drejtuar klubet rivale të qytetit, Dritën dhe Gjilanin, shkruan kryelajmi.com
Zekirija Ramadani mori drejtimin e SC Gjilanit në qershor të vitit 2022. Në edicionin 2022/23, ai arriti ta udhëheqë skuadrën kuqebardhë drejt pjesëmarrjes në garat evropiane, ndërsa Gjilani luajti edhe në finalen e Kupës së Kosovës. Pas kësaj përvoje, në nëntor të vitit 2023, Ramadani mori drejtimin e rivalit lokal, FC Drita.
Me Dritën trajneri nga Shkupi pati një periudhë të suksesshme, duke fituar dy tituj radhazi të kampionit të Kosovës dhe Superkupën. Nën drejtimin e tij, Drita arriti edhe një sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, duke u kualifikuar në fazën e ligës të UEFA Conference League. Pas përfundimit të bashkëpunimit në verën e vitit 2026, Ramadani u rikthye te SC Gjilani në tetor të po këtij viti.
Edhe Ardian Nuhiu është një tjetër trajner që ka përjetuar nga afër rivalitetin e dy klubeve të qytetit. Fillimisht, ai iu bashkua Dritës në shtator të vitit 2018 si ndihmëstrajner, ndërsa në shkurt të vitit 2019 mori përgjegjësinë e kryetrajnerit.
Nuhiu arriti ta shpallë Dritën kampione të Kosovës në edicionin 2019/20, në një kampionat të veçantë, për çudi këtë garë ai e fitoi me pikë të barabarta me Gjilanin, por titullin e fitoi falë rezultateve më të mira në ndeshjet e drejtpërdrejta. Nën drejtimin e tij, Drita regjistroi edhe paraqitje të rëndësishme në garat evropiane, duke arritur deri në raundin e tretë të Ligës së Evropës.
Pas largimit nga Drita, në nëntor të vitit 2022 dhe përvojës te Shkëndija e Tetovës, Nuhiu u rikthye në futbollin kosovar në qershor të vitit 2024, por kësaj radhe në anën tjetër të qytetit, te SC Gjilani. Ai mori drejtimin e SC Gjilanit, ku qëndroi deri në shtator të vitit 2025. Pas një përvoje te Tirana, në gusht të vitit 2026, Nuhiu u rikthye në stolin e Dritës, ku është edhe tashti.
Këtë të diele më 29 nëntor do të zhvillohet derbi Gjilani (Zekirija Ramadani) – Drita (Ardian Nuhiu), kurse rezultatet e deritanishme të këtyre trajnerëve janë:
Zekirija Ramadani, kryetrajner i Gjilanit – Ardian Nuhiu, kryetrajner i Dritës
14.09.2022 Drita – Gjilani 4:1
10.11.2022 Gjilani – Drita 1:1
Zekirija Ramadani, kryetrajner i Dritës – Ardian Nuhiu, kryetrajner i Gjilanit
05.10.2024 Drita – Gjilani 1:1
15.12.2024 Gjilani – Drita 1:0
27.03.2025 Drita – Gjilani 4:0
17.05.2025 Gjilani – Drita 0:0
Ramadani, kryetrajner i Gjilanit: një humbje, një barazim
Ramadani, kryetrajner i Dritës: një fitore, një humbje, dy barazime
Nuhiu, kryetrajner i Gjilanit: një fitore, një humbje, dy barazime
Nuhiu, kryetrajner i Dritës: një fitore, një barazim
Enver Sadiku /kryelajmi.com/.





