Kuvendi Komunal i Vitisë ka mbajtur sot mbledhjen e XI të rregullt, në të cilën janë shqyrtuar një sërë çështjesh dhe propozim-vendimesh me rëndësi për komunën dhe qytetarët e saj.
Gjatë kësaj mbledhjeje, anëtarët e Kuvendit kanë shqyrtuar dhe diskutuar për emërtimin e sallës së teatrit në Viti me emrin “Jakup Jahiri”, caktimin e lokacionit për varrezat në zonën kadastrale të Kabashit, si dhe aprovimin e Planit të Punës së Kuvendit Komunal për vitin 2027.
Po ashtu, në rend dite ishin edhe çështje që ndërlidhen me sigurinë në bashkësi, shfuqizimin e një vendimi të mëhershëm për bartjen e së drejtës së shfrytëzimit të pronës, largimin e kalldrëmit ekzistues dhe asfaltimin e rrugës së “UÇK-së në Viti”, si dhe shqyrtimin e memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Komunave të Gjilanit, Kamenicës dhe Vitisë dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve “Liria” në Gjilan.
Në këtë mbledhje u trajtua edhe çështja e rishqyrtimit të ligjshmërisë së vendimit për vënien në shqyrtim publik të Projekt-Hartës Zonale Komunale të Vitisë 2026–2034.
Në rend dite u përfshi edhe informata lidhur me obligimet e mbetura financiare për kontratat komunale te lidhura me kompanitë Kosovamed, Caritas dhe Topalli. Gjatë trajtimit të kësaj çështjeje u diskutuan shqetësimet për vonesat disa mujore në pagesat e punëtorëve të angazhuar përmes kontratave, si dhe obligimet që duhet të përmbushen në raport me këto kontrata.
Mbledhja u përmbyll me pikën e pyetjeve dhe përgjigjeve, ku anëtarët e Kuvendit patën mundësi të ngritin çështje me interes për qytetarët dhe institucionet komunale.




