Vera u rrit në një familje shumë të varfër. Më saktë nuk u rrit, por ekzistoi. Nëna kishte vdekur që moti, babai e kishte braktisur familjen kur vdiq nëna, atë e rritën gjyshi dhe tezja. Thënë ndryshe edhe nuk e rritën, por i siguronin ushqim dhe veshmëbathje. Jetonin vetëm nga pensioni i gjyshit. Ai nuk i kishte këmbët – i kishte humbur në luftë, pastaj kishte përjetuar edhe traumë të fortë. Kurse tezja nuk punonte askund, në fshat nuk kishte punë, gjithçka kishte marrë tatëpjetën. Madje as që dëshironte të punonte, i pëlqente jeta e shfrenuar dhe e lumtur, shpesh ikte nga shtëpia. Vera ishte vajzë shumë e zgjuar, mësonte bukur, e dashuronte shumë gjyshin. Në shkollë ajo shoqërohej vetëm me një vajzë, Letën. Familja e Letës nganjëherë e ushqenin dhe i jepnin gjësende të nevojshme. Leta kurrë nuk e tallte se vinte nga një familje e varfër dhe nuk u lejonte të tjerëve të talleshin me të. Kështu jetonte Vera, mësonte, shoqërohej me Letën, kujdesej për gjyshin, gjersa nuk ndodhi më e keqja: një ditë në mëngjes ajo nuk mund ta zgjonte gjyshin. Tezja atë ditë ishte larguar një drejtim të panjohur dhe askush s’e dinte ku dhe me kë. Kështu, Vera ra në jetimore.
Pas disa muajsh tezja e Verës u kthye në shtëpinë e babait, e mësoi ku e kishin dërguar mbesën, e vizitoi atë, por nuk e mori. Kështu Vera qëndroi në jetimore, kurse tezja e vizitonte herë pas here.
Vera e kishte të vështirë në jetimore, ajo nuk shoqërohej me asnjeri, disa herë kishte ikur dhe kishte jetuar në rrugë, hidhërohej dhe nuk i besonte askujt.
Një herë, kur Vera po planifikonte të ikte, e ftuan te drejtori. Me siguri dikush e kishte denoncuar. Kur hyri në zyrë, aty pos drejtorit ndodhej edhe një burrë. Ishte i leckosur, me tatuazhe, dukej qartë se vinte nga burgu. Ai e vështroi Verën dhe ajo e njohu. Fotografitë e tij i kishte parë në shtëpinë e gjyshit. Në njërën prej tyre ky burri ishte i përqafuar me nënën e Verës dhe buzëqeshte. Gjyshi i kishte thënë se kjo ishte fotografia e babait që i braktisi.
Sytë e vajzës u errësuan, mezi e përmbahej, iu afrua mashkullit, e vështroi drejt në sy dhe qeshi me qesendi. Befas … burri e kapi nofullën dhe u rrëzua në dysheme, duke shmangur një goditje tjetër të fuqishme me të djathtën.
Selim Sylejmani