Shkruan: Mr. Aliriza Selmani
(Tubimi i Ferizajt 5-23 korrik 1908)
Më 1908 shpërtheu Revolucioni i Osmaneve të Rinj (xhonturk), në të cilin shqiptarët dhanë kontribut të çmuar në ngadhnjimin e tij.
Që nga fillimi programi i turqëve të rinj, piksynim kryesor kishte rivendosjen e Kushtetutës së vitit 1876, ruajtjen e Perandorinë Osmane nga ndërhyrja e huaj dhe ishin kundër autonomisë së popujve të shtypur. Ndërkaq shqiptarët nga ana e tyre, për të larguar rrezikun nga coptimi i vendit synonin përmbysjen e absolutizmit hamidian, që përmes rendit kushtetues dhe thirrjes së parlamentit të krijonin kushte më të favorshme në luftë për autonominë e Shqipërisë. Kjo edhe i shtyri shumë veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që të përfshihen në lëvizjen e turqëve të rinj disa nga të cilët kanë luajtën rol të rëndësishëm, si që ishin dr. Ibrahim Temo njëri ndër themeluesit kryesor të Komitetit “Bashkim e Përparim”, Ismail Qemali, Dervish Hima, Hoxhë Kadri Prishtina e të tjerë .
Forcimi i ndërhyrjeve të Shteteve të Mëdha dhe Shteteve Ballkanike, për të vendosur kontrollin në Turqinë evropiane, i shtyn turqit e rinj të bënin përpjekje për të tërhequr në anën e tyre shqiptarët. Për kët qëllim në vitin 1906, u vendos në Selanik qendra e Komitetit “Bashkim e Përparim”, i cili luajti rolin e Komitetit qendror për pjesën ballaknike të Perandorisë.
Ngjarjet që shpejtuan shpërthimin e revolucionit dhe u vlerësuan si nji kërcnim i rëndë për pjesën ballkanike të Perandorisë ishte deklarata e ministrit të Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë Erental në janar 1908, se qeveria e tij kishte marrë pëlqimin e sulltanit dhe do të fillonte ndërtimi e hekuridhës së Uvac-Mitrovicë, që përmes vilajeteve shqiptare të Kosovës e të Manastirit të dilte në Selanik. Si kundërpërgjigje ndaj këtij veprimi të Austro-Hungarisë, në qershor 1908 u mbajt takimi i Revalit (Rusi), i carit të Rusisë me mbretin e Anglisë, ku u arrit marrëveshja anglo-ruse mbi programin e reformave të reja në Maqedoni. Kjo nxirrte në shesh aspiratat imperialiste ndaj viseve shqiptare dhe dëshmonte politikën kapitulluese të sulltanit para fuqive të mëdha.
Jehona e këtyre ngjarjeve, shqetësoi udhëheqësit e Komitetit “Bashkim e Përparim” dhe bëri që të shtohet pakënaqësia e shqiptarëve ndaj sulltanit, sepse vinte në rrezik tërësinë territoriale të Shqipërisë. Sipas këtij projekti parashiheshin që viset shqiptare lindore të Vilajetit të Kosovës dhe Manastirit të përfshiheshin në reforma, të cilat do t’i bashkoheshin Maqedonisë autonome. Këto dy ngjarje të gjysmës së parë të vitit, çuan te zgjërimi i luftës së armatosur të çetave shqiptare, të udhëhequr nga Komiteti “Për lirinë e Shqipërisë”, për të shmangur ndërhyrjen dhe copëtimin e Shqipërisë dhe për ta detyruar Perandorinë Osmane të pranojë krijimin e Shqipërisë autonome. Si rrjedhojë, në shumë vise të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare shpërthyen trazira dhe konflikte me organet e pushtetit lokal. Në bazë të dhënave të kohës, shihet se shqiptarët e rrethit të Gjilanit, që në gjysmën e dytë të janarit 1908 ishin përleshur me organet e pushtetit lokal, kishin mbyllur pazarin (tregun) dhe kërkonin me ngulm ndërrimin e kajmekamit. Për t’u ikur konflikteve më të mëdha dhe për t’i qetësuar shqiptarët, sulltani kishte dhënë urdhër për ndërrimin e kajmekamit. Nga raportet e konsullit të Serbisë në Prishtinë del se, përkundër ndërhyrjeve të pushtetit qendror osman me qëllim të qetësimit të shqiptarëve, gjatë muajve të parë të vitit nuk po pushonin trazirat dhe konfliktet e popullsisë së kësaj ane me organet e pushtetit lokal. Gazeta serbe “Politika” e Beogradit shkruante se nga të gjitha viset ku jetojnë shqiptarët po arrijnë lajme për formimin e çetave kryengritëse, për ç‘arsye edhe po dërgohen forca të reja ushtarake në të gjitha vendet e Kosovës.
Në kuadër të bashkëpunimit të komiteteve xhonturke me komitetet kombëtare “Për lirinë e Shqipërisë”, që nga gjysma e dytë e vitit 1907, ekzistonte një bashkëpunim midis parisë dhe patriotëve të Kazasë së Gjilanit me komitetet xhonturke. Sipas disa të dhënave kontaktet e para i kishte vënë Idriz Seferi, me disa veprimtarë të tjerë të kësaj ane si Islam Pira, Murat Bilalli (nga Bresalci) etj. Këta prijës, aty kah gjysma e vitit 1907, ishin regjistruar në Komitetin Xhonturk të Shkupit, i cili ishte i përbërë kryesisht nga oficerë e ushtarë shqiptarë.
Gjatë gjysmës së parë të vitit 1908, në shumë qytete të Shqipërisë krahas degëve të komiteteve të fshehta “Për lirinë e Shqipërisë” u formuan edhe komitetet xhonturke “Bashkim e Përparim”. Nje komitet i tillë në këtë kohë vepronte edhe në Gjilan, në të cilin hynë oficer, intelektual e patriot të kësaj ane. Konzullit serb Ballugxhiq në Shkup, bazuar në dëshmitë e marra nga terreni, thot se ky komitet ishte në lidhje me udhëheqësit më të njohur shqiptarë të kësaj ane.
Se këtë bashkëveprim çdonjëra palë e shikonte nga aspekti i ineresave të saj, mund të hetohet edhe nga deklarata e veprimtarit të kësaj ane Islam Pira i cili theksonte: “Dëshirojmë të bashkëpunojmë me Turqit e Rinj që të mundemi më lehtë t’i rrëzojmë nga pushteti turqit e vjetër, kështu që pastaj edhe këta të rinjt t’i heqim qafe”. Mendime të ngjashme shprehen edhe nga Dervish Hima, i cili në fillim të gushtit të vitit 1908, pas ngadhnjimit të Revolucionit Xhonturk, ndër të tjera, shprehej se “Tani shqiptarët duhet të nisin një luftë të re”.
Ngjarjet e kohës shtyn turqit e rinj që të shpejtonin organizimin e kryengritjes së armatosur dhe për të arrtitur këtë u premtuan shqiptarëve që me kushtetutë do ti garantohen “liri, barazi, vëllazërim dhe drejtësi”, për të gjithe, me çka edhe fituan përkrahjen e tyre.
Kuvendi i Ferizajt (5-23 korrik 1908) dhe rrjedhat politike në Rrethin e Gjilanit
Si parapërgatitje për pjesëmarrjen e Kazasë së Gjilanit në Revolucionin Xhonturk, ka qenë tubimi në fshatin Orman afër Shkupit, në verën e vitit 1908, në prag të Revolucionit. Organizatorë të tubimit ishin komitetet xhonturke, ndërsa pjesëmarrës ishin edhe prijësit shqiptarë të pjesës juglindore të Vilajetit të Kosovës. Në këtë tubim përveq Idriz Seferit morën pjesë edhe Islam Pira dhe Hamdi Kurteshi nga Pozhorani. Në tubim u bë fjalë mbi koncesionet e sulltanit ndaj Fuqive të Mëdha, për keqpërdorimet e organeve të pushtetit, si dhe ishte marrë qëndrim që në të ardhmen të mos paguhet asnjë detyrim dhe të punohet për krijimin e një shteti demokratik parlamentar, në të cilin do të siguroheshin të drejtat kombëtare për të gjithë.
Tubimi i shqiptarëve të Vilajetit të Kosovës në Ferizaj, përputhet me dezertimin e oficerit shqiptar Ahmet Nijazi Beut nga Resnja, i cili me repartrin e tij ushtarak doli në malet e Resnjes, më 3 korrik të vitit 1908, dhe me këtë dha kushtrimin e Revolucionit. Dy ditë pas këti akti kryengritës, (më 5 korrik 1908), u organizua Kuvendi i Ferizajt, i cili sipas disa të dhënave ishte tubimi më i madh i shqiptarëve të Vilajetit të Kosovës, pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Rrethanat ndërkombëtare të krijuara rreth tokave shqiptare dhe koncesionete e Sulltanit hekurudhës së Mitrovicës kishin krijuar në Kosovë një atmosferë të nderë. Kështu lajmi i përhapur sipas të cilit Porta e Lartë kishte ndërmend ti shiste austriakëve tokat rreth Ferizajt për ndërtime dhe për vendosjen e kolonëve si dhe pikniku i nxënësve të shkollës hekurudhore hungareze nga Shkupi në Sarajishte afër Ferizajt, ku ishin ngritur dy baraka dhe një tribune, ku ishte ngritur flamuri austriak. Këtu ishte ftuar tërë personeli i konsullatave austriake në Shkup e Selanik, konsujt e huaj në shkup, si dhe administrata e Vilajetit të Kosovës me valiun në krye. Së shpejti në Ferizaj filluan të tubohen shqiptarët e rrethinës dhe viseve tjera të Vilajetit të Kosovës, me ç‘rast ia vunë zjarrin materialit ndërtimor dhe kjo bëri që pikniku të anulohej. Mirëpo, ardhja dhe grumbullimi i shqiptarëve të armatosur sa vinte e shtohej. Sipas konzujve austro-hungarezë në Mitrovicë, që më 4 korrik, afër stacionit hekurudhor në Ferizaj ishin tubuar rreth 3.000 vetë, ndërsa të nesërmen, kishin arritur edhe 4.000 shqiptarë të tjerë të armatosur. Kështu më 5 korrik e gjithë hapësira nga Kaçaniku e deri në Lipjan, ishte zënë nga shqiptarët e armatosur, të ardhur nga Kaçaniku, Ferizaj, Morava e Epërme dhe e Poshtme. Nga të parët që arritën në Ferizaj dhe që morrën pjesë në djegien e Sarajishtes ishin grupet e armatosura të Kazasë së Gjilanit, si nga Anamorëva e Poshtme ashtu edhe nga Anamorava e Epërme, të udhëhequr nga Tahir Budrika, Xhemajl Efendiu, Ramë Abdyli (nga Pozharani), Zeqë Pira, Islam Pira, Hamdi Kurteshi etj. Lidhur me pjesëmarrjen e shqiptarëve të Kazasë së Gjilanit në djegien e Sarajishtes bëhet fjalë madje edhe në këngën popullore, ku pos tjerash thuhet:
Krejt Gillani n’kom jan çu,
N’Ferizaj-o për me shku
Sarajishten për me rrëxue.
Menjiher janë ra n’ni fjalë,
Sipas të dhënave konsullore serbe më 9 korrik në Ferizaj ishin mbledhur 15.000 veta të armatosur.
Thirrjes për t’u bashkuar me kryengritësit në Ferizaj, iu përgjigjën nga gjitha viset e Vilajetit të Kosovës. Që nga ditët e para të tubimit, në Kazanë e Gjilanit bëheshin përgatitje, për pjesëmarrjen e një numri sa më të madh të shqiptarëve të armatosur. Në këto përgatitje rol të rëndësishëm kishin veprimtarët e këtyre anëve, në krye me Idriz Seferin, i cili së bashku me Isa Boletinin, Bajram Currin e të tjerë, ishin ndër drejtuesit kryesorë të Kuvendit të Ferizajt zhvillonin aktivitet të dendur për pjesëmarrjen sa më massive të masave fshatare në lëvizje. Pas përgatitjeve të nevojshme, më 14 korrik, prijësit e Kazasë së Gjilanit, të udhëhequr nga Idriz Seferi, me një numër të madh kryengritësish, shkuan në Ferizaj. Po atë ditë arritën edhe njerëzit nga Kazaja e Preshevës, Kaçanikut, Tetovës, Gostivarit e Gjakovës. Një ditë më vonë erdhën nga Prizreni 1.500 kryengritës. Më 15 korrik u mblodhën në Ferizaj krerët nga të gjitha sanxhaqet e Vilajetit të Kosovës, midis të cilëve ishin Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi, Ferhat bej Draga nga Mitrovica, Nusret Beu nga Jeni Pazari, Sulejman Batusha, Ramadan Zaskoku nga Luma, Musa Miftari nga Budakova, Qerim Mahmut Begolli nga Peja, Jahja beu nga Prizreni, Zejnullah beu nga Prishtina, Jakup Beu nga Tetova, Ramë Abdyli nga Pozharani etj.
Për numrin e shqiptarëve të tubuar në Kuvendin e Ferizajt ka mendime të ndryshme, varësisht nga burimet dokumentare. Në bazë të raporteve konsullare Austro-Hungareze, si dhe burimeve të tjera të kësaj provenience, provohet se më 15 korrik këtu ishin tubuar rreth 30.000 shqiptarë. Këtyre ditëve konsulli francez në Shkup e lajmëronte Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës se Lëvizja Shqiptare ishte përhapur në tërë Vilajetin e Kosovës dhe në viset tjera shqiptare. Ai njohtonte gjithashtu se të gjithë shqiptarët, muslimanë e katolikë, i janë përgjegjur ftesës së Komitetit të Ferizajt dhe se te ata vërehet një moral i lartë: “Nuk plaçkisin, por kërkojnë pavarësi dhe emancipim kombëtar”. Ndërkaq konsulli serb, Peqanac, me 15 korrik, me brengosje i njoftonte eprorët e vet se ndër shqiptarët e tubuar në Ferizaj ishte përhapur ideja e krijimit të autonomisë së Shqipërisë.
Gjersa po vazhdonte grumbullimi i shqiptarëve në Ferizaj, sipas një raporti të 18 korrikut, të konsullit serb në Shkup, Ballugxhiq, shihet se një tubim i ngjashëm i shqiptarëve të pjesës juglindore të Vilajetit të Kosovës po mbahej në Karadak, ku merrnin pjesë shqiptarët e tri rretheve: të Gjilanit, Preshëvës dhe Kumanovës. Në te ishin tubuar rreth 20.000 njerëz, që ishin në lidhje të vazhdueshme me Kuvendin e Ferizajt. Tubimi e priste çastin, që nëse nuk plotësohen kërkesat e Kuvendit, të nisen së bashku për ta sulmuar Shkupin. Megjithatë, në lidhje me tubimin në fjalë na mungojnë të dhënat e mjaftueshme.
Shqiptarët e tubuar në Ferizaj ishin të vendosur nëpër konaqe në qytet dhe rrethinë. Shumë prej tyre njiheshin mes vete dhe bisedonin mbi qëllimin e këtij tubimi. Sipas bashkëkohësit të këtyre ngjarjeve dhe historianit turk Sylejman Kylçe, këtu ishte shumë aktiv një person i quajtur Kupa – Jakup Çaushi nga Gjilani, i cili vazhdimisht e njoftonte tubimin me vendimet e Kuvendit që mbahej në xhaminë e Ferizajt. Ai pohon se më këtë rast dolën në shesh qëllimet e vërteta të shqiptarëve, që t’i mbrojnë edhe me armë trojet e tyre nga armiqt e ardhshëm.
Më 5 korrik, komandanti i divizionit të Mitrovicës, gjenerali Shemsi Pasha, i cili i shërbente verbërisht sulltanit, bëri përpjekje për ta shpërndarë tubimin, por nuk pati sukses. Siç deklaron historiani turk Jusuf Hikmet Bajur, shqiptarët ate e konsideronin si armik të tyre, i cili u hapte rrugë austriakëve për në viset shqiptare dhe për këtë arsye nga një patriot shqiptar u vra në Manastir, më 7 korrik të vitit 1908. Këtë e provon edhe konsulli austro-hungarez (Zambaur) në Mitrovicë, i cili përmes një telegrami të 8 korrikut njoftonte për atentatin ndaj Shemsi Pashës, duke theksuar se kjo “është humbje e madhe për qëllimet tona në këto anë”. Po këtë ditë (7 korrik) u dëbua mydyri i Ferizajt dhe mytesarifi i Sanxhakut të Prishtinës, Ismail Fejzi Pasha, të cilët me urdhërin e valiut shkuan në Shkup.
Mbledhja e parë në tubimin e Ferizajt u mbajt më 14 korrik, ku përfaqësuesit u shprehën kundër ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha në projektin e reformave që rrezikonin copëtimin e viseve shqipare dhe për masat që duheshi marë për mbrojtjen e vendit nga sulmet e jashtme. Konsulli serb në Prishtinë Peçanac, i raportonte Beogradit se më 15 korrik në Kuvend ishte diskutuar edhe çështja e formimit të Shqipërisë autonome.
Në kohën e tubimit të madh në Kuvendin e Ferizajt, me 17 korrik u lidh “Besa” e përgjithshme, ndërsa ditën e nesërme ajo ishte proklamuar gjithkund me anë të telallëve zyrtarë. Qëllimi i besës ishte ruajtja e qetësisë, ndalimi i persekutimeve dhe vrasjeve dhe që pushteti gradualisht duhej të kalonte në duar të vendësve. “Besës” së lidhur shqiptarët i përmbaheshin me përpikëri.
Kuvendi i Ferizajt që nga ditët e para tëhoqi vëmendjen e turqëve të rinj, të cilët për të tërhequr këtë masë të madhe kryengritësish shqiptarë Komiteti “Bashkim e Përparim” me qendër në Selanik dërgoi emisarët e vet në Kuvendin e Ferizajt në krye me Galip Beun komandant i xhendarmëris së Shkupit, për të tërhequr atë në rrjedhën e lëvizjes së përgjithshme kundër apsolutizmit të sulltanit, të kërkonin shpalljen e kushtetutës së vitit 1876, dhe mbledhjen e parlamentit, duke u dhënë premtime për liri, barazi e drejtësi për të gjithë, si dhe zhdukjen e rrezikut nga kërrcnimi i territoreve shqiptare.
Se propaganda xhonturke ishte gjithnjë e më efikase, dëshmon edhe konsulli serb në Prishtinë (Peqanac) i cili telegrafonte eprorëve në Beograd se në Kuvendin e Ferizajt, që nga 17 korriku dominonte rryma xhonturke. Pas tri jave konsultimesh më 20 korrik u arrit marrëveshja që shqiptarët ti bashkohen revolucionit xhonturk dhe ishte aprovuar Rregullorja (Itifaknama) prej tetë pikash, me të cilat shqiptarët pranuan programin xhonturk dhe hoqën dorë nga programi kombëtarë si kusht për bashkëpunim. Sipas konsullit austro-hungarëz në Mitrovicë në mbledhjen e 19 korrikut viset jug-lindore të të Vilajetit të Kosovës, si Shkupi, Tetova, gjilani, Presheva dhe Kumanova u deklaruan edhe për hapjen e një parlamenti kombëtar e pranonin programin xhonturk. Po këtë ditë (20 korrik) Kuvendi i Ferizajt i dërgoi Sulltan Abdyl hamitit nji telegram i firmosur nga 1.200 personalitete të shquar nga të gjitha viset shqiptare të vilajetit të Kosovës, me të cilin kërkohej rivendosja e menjëhershme e Kushtetutës së vitit 1876 dhe thirrja e mbledhjes së parlamentit. Më 22 korrik ju dërgua sulltanit nji telegram tjetër me kërcnim nëse nuk shpallet kushtetuta do të fillojë marshimi i më se 50.000 shqiptarëve të armatosur drejt Stambollit.
Telegrame të tilla dërgoheshin edhe nga viset tjera të Vilajetit të Kosovës. Sipas historianit turk J.H. Bajur, një telegram i tillë kërcënues ishte dërguar edhe nga tubimi i shqiptarëve në Karadak të Gjilanit, përmes të cilit kërkohej proklamimi i Kushtetutës, përndryshe shqiptarët nga të gjitha viset e Kosovës do t’ia mësynin Shkupit.
Duke qen të bindur se nuk do të marrin përgjigje të shpejtë nga Stambolli, me 21 korrik filloi lëvizja e shqiptarëve drejt Shkupit në tri drejtime. Një grup u nis për Tetovë, grupi tjetër në drejtim të Grykës së Kaçanikut, ndërsa grupi i tretë, në të cilin bënin pjesë shqiptarët e kësaj ane, u nis në drejtim të Karadakut-Gjilan-Preshevë-Kumanovë. Lidhur me marshimin e kryengritësve shqiptarë drejt Shkupit, Ambasadori austro-hungarez në Stamboll njoftonte Vjenën se rreth 50.000 shqiptarë e kishin mësyer Shkupin nga drejtimi i Shqipërisë Veriore. Gjatë rrugës shqiptarët marshonin pa bërë dëme dhe pa shqetësuar fshatrat krishtere serbe e maqedone. Këtë e vërteton edhe konsulli serb Ballugxhiq. Në ndërkohë në Shkup dhe fshatrat përreth përgatiteshin konaqe për t’i pritur luftëtarët e lirisë. Sipas “Politikës” së Beogradit, në fshatrat Orman dhe Badofc ishte paraparë të vendoseshin nga 2.000 kryengritës, gjersa në Shkup ishin paguar 10 furra për bukë dhe ishin blerë 200 tenda për vendosjen e tyre. I trembur nga lëvizja revolucionare shqiptare dhe ajo xhonturke, Sulltan Abdyl Hamiti, më në fund, u detyrua të shpallë Kushtetutën e vitit 1876, apo Hyrijetin (Lirinë), natën e 23-24 korrikut 1908.
Faktor vendimtar që përcaktuan fitoren e Revolucionit xhonturk ishte ndihma e ushtarëve dhe oficerëve të Armatës II të Maqedonisë, shumica e të cilëve ishin shqiptarë dhe përkrahja e kryengritjes nga Kuvendi i Ferizajt.
Me 25 korrik në Shkup ishte planifikuar të shpallej Kushtetuta në mënyrë solemne. Këtë gjë populli e priste me shpresë dhe entuzizëm të madh. Për këtë arsye atje, më 24 korrik në mbrëmje shkuan në Shkup me tren special nga Ferizaji 60 përfaqësues nga Kuvendit të Ferizajt. Ata u pritën ngrohtësisht dhe me nderime të mëdha nga autoritetet dhe qytetarët, mirëpo masës së armatosur shqiptare nuk iu lejua hyrja në qytet. Për këtë qëllim Komiteti Xhonturk dha urdhër që qyteti të rrethohet me forca të mëdha ushtarake dhe me topa. Në këtë mënyrë, që në fillim doli në shesh dinakëria dhe tradhtia e xhonturqve.
Shpalljen e kushtetutës shqiptarët e kuptuan si një epokë të re në jetësimin e idealit të tyre kombëtar, andaj me rastin e shpalljes së kushtetutës manifesime të shumta pati gjithandej viseve shqiptare, entuziazmi i kishte përfshirë masat me manifestime e mitingje të shumta ku oratorët gjatë fjalimieve të tyre thirrnin “Rroftë Liria, Rroftë Shqipëria”. Manifestime të tilla ishin organizuar edhe në Gjilan. Kështu gazeta “Politika” e Beogradit duke përcjellur entuziazmin e popullsisë shqiptare të Kazasë së Gjilanit, pas shpalljes së Kushtetutës, duke iu referuar korrespodentit të sajë në Gjilan, pos tjerash shkruante se shqiptarët e Gjilanit, qysh më 24 korrik kishin filluar të organizoheshin manifestime dhe mitingje të shumta, të cilat arritën kulmin më 31 korrtik dhe 2 gusht të vitit 1908. Sipas gazetës në fjalkë, në këtë anë edhe kthimi I luftëtarëve të lirisë nga mali ishte bërë më parë se në viset tjera.
Nga tërë kjo mund të konkludohet se Komiteti “Bashkim dhe Përparim”, me demagogjinë e vet kishte arritur t’i përfitojë përfaqësuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare duke i joshur me premtime të rreme për kinse një regjim konstitucional dhe realizimin e aspiratave për autonomi. Pasi e kuptuan se ishin mashtruar, shqiptarët u ngritën edhe kundër regjimit shovinist xhonturk. Por megjithat siç konstaton Prof. Dr. Skënder Rizaj: “Revolucioni i vitit 1908 ishte një kthesë e madhe në historinë shqiptare. Shqiptarët tani më nuk qetësohen. Ata luftojnë më me rreptësi për autonomi dhe pavarësi.” Kësodore u krijuan kushte më të favorshme për një zhvillim më dinamik të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
(Për shkak të natyrës së portalit, nga punimi janë hequr fusnotat)