Libri

VRASTARË TË MJERË ( Motive atdhetarie të Ukrainës)

VRASTARË TË MJERË

( Motive atdhetarie të Ukrainës)

Meti Rexhepi

udha për te dita ishte zënë prej kuçedrës me tyta

andej e këtej ura aortë zemrash që e shqiptojnë amësinë

dy trupa urë mbi urë nuk i ngopte rrjedha

kjo urë e dy shpirtrave nuk shikohej si pamje as si arkitekturë

Vitaliy Skakun të dukshmen dhe të padukshmen urë

nën goditje tytash shtypej mbi dy dashuri

duhej t`ia rrënonte kalimin dhe për dashurinë e tretë

kuçedra e shëmtuar e shtanguar e kishte copëtuar

shpirtit i pati dëftuar për ardhjen e një pastërtie të amshuar

tri dashuri etërish i mbillte edhe në erë kufomash

*

dashuria e kokrrave të grurit i mbulohej me jorganin e bardhë

t`i rrëshqisnin përmbi shtrëngatat (ulë)ruse prej të egrit acar

mes arash kallinjsh lule-diejsh me simbol portokallie

galerë e vjetër në detin e nderë hambarë të zbrazur galdimesh

në trasta të zeza ecejakesh bartej e zeza për të verdhën

e bardha për lëbyrje pamjesh

e kaltra për fundosje ujërash

e kuqja për lumenj gjaku trupash

si do të çelë nesër në cilin sfond i bie Perëndimi i të zezës

djersë të tymosura gjak i ngjizur ose mugullim gjenesh

hullitë ishin hapur farë ishte hedh

në vorbull llahtarie kush do të vjelë

*

Vitaliy: ja si bëhet akti im shkëmb

edhe një kumt për lëvrim

për lëvrimin e thellë e më të thellë

mbjellje me farën e pastër të gjakut

*

e hodha urën në erë

për tri dashuritë përnjëherë

të bëhej kodër midis rrafshit

të behej mal tej malesh mbi barbarë

*

e hodha urën e jetës në erë

liria ime të shqiptonte shije

dhe Krishti të mos mbetej vetëm ikonë dhembshurie

ja: matanë le të më shikojnë vrastarët e mjerë

Gjilan, më 27 shkurt 2022

You Might Also Like