Futboll

Edhe një derbi i heshtur Gjilani – Drita, diç e tillë kishte ndodhur edhe më parë

Kryendeshja Gjilani – Drita sikur ka nisur të humb hijeshinë, sidomos atë në tribuna edhe atë për shumë arsye. Ky ballafaqim gjithnjë kishte ngjallur kërshërinë edhe të shumë mediumeve ndërkombëtare edhe atë më tepër për shkak të atmosferës që krijonin shikuesit e të dy palëve se sa për lojën që zhvillohej në fushë.

Tash e sa kohë sikur kjo traditë po humbet. Fillimisht u nis me ndeshjet që nisën të zhvillohen në Prishtinë, gjoja për të grumbulluar numër më të madh të shikuesve, pastaj shkaku i pandemisë që nuk lejonte praninë e shikuesve në tribuna e tash së fundi edhe për shkak të pasigurisë, ngase Stadiumi i Qytetit është duke u “rinovuar” e ai me bari sintetik nuk ofron kushte sigurie për praninë e numrit të madh të shikuesve, shkruan kryelajmi.com.

Këtë të mërkurë nuk do të ketë britma të Skifterëve e as të Intelektualëve, bile nuk do të kenë mundësinë as të ngjiten në ndërtesat përreth, kështu që ky derbi pritet të jetë ndër më të pazhurmëshit deri më tashti.

Mirëpo, kjo nuk është hera e parë që kryendeshja Gjilani – Gjilani zhvillohet pa praninë e shikuesve, një gjë e tillë për herë të parë ndodhi në vitin 2012, në ndeshjen e zhvilluar më 22 prill.

Tetë vite më pas, në korrik të vitit 2020, u zhvillua një ndër ndeshjet më interesante ngase të dy ekipet po luftojnë për titullin e kampionit. Kësaj here ata munguan shkaku i pandemisë, vazhdon kryelajmi.com

Ja raporti i gazetarit Enver Sadiku, për gazetën “Zëri”, i botuar më 23 prill 2012.

Drita-Gjilani 1-2 (0:1)

Gjilani ngadhënjen në kryendeshjen e heshtur

Enver Sadiku

Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Ndeshja u zhvillua pa praninë e shikuesëve. Arbitra: M. Ferati – D. Preniqi – B. Këpuska. Shënues: P. Osmani 53 – Hyseni 34’, Shabani 65’. Kartoni i verdhë: Hashani, Vi. Sermaxhaj, Ve. Sermaxhaj – Ajdini, G. Sermaxhaj, Bajraliu, Ramushi.

Drita: Latifi, Hashani, Gërbeshi, P. Osmani, Vi. Sermaxhaj, Isufi, Alimi, Ve. Sermaxhaj, Abazi, F. Osmani (Foniqi), Syla (Sejdiu).

Gjilani: Ajdini, Arifi, Kastrati, Hyseni, MUrseli (Ramadani), G. Sermaxhaj (Canaj), Latifaj, Bajraliu, Muja, Ramushi, Shabani (Hasani).

Ballafaqimi i rivalëve lokalë, Drita e Gjilani ka nisur në heshtje pa praninë e shikuesve, të cilët edhe për një kohë do të qëndrojnë jashtë pas dënimit që kanë marrë nga federata e është vazhduar me heshtje në nderim të Reshat Osmanit, ish-kryetrajner i të dy ekipeve gjilanase, i cili papritmas ka ndërruar jetë në moshën 65-vjeçare.

Adhuruesit më të flaktë kishin gjetur zgjidhje duke u ngjitur mbi ndërtesat që janë përreth stadiumit, prej ku e kanë përcjellë ndeshjen.

“Gjilani pa shikues sikur më mirë u gjet në këtë ballafaqim”, ka thënë si me ironi Bekim Isufi, kryetrajner i Dritës, sipas të cilit ekipi i tij në dy raste të Gjilanit në të dyja herët pësoi, derisa siç shtoi ai, futbollistët e tij huqin disa herë.

Gjilani ka pasur paraqitjen më të mirë në këtë stinor, mbase këtë ua ka mundësuar edhe ngarkesa jo e madhe psikike, me të cilën “kuq e bardhët” kanë luajtur gjatë tërë kampionatit.

Pas dy rasteve të humbura të lojtarëve të Dritës në fillim të ndeshjes, në minutën 34, Sermaxhaj i Gjilanit ka dhënë një gjuajtje dënimi nga e djathta e në të topin e harkuar më së miri ka ndërhyrë qendërmbrojtësi Hyseni, që pa e pritur topin të bie në tokë e ka dhe e ka dërguar në këndin e poshtëm të majtë të Latifajt. Pjesëloja e parë është përmbyllur me një të qëlluar të tërthorëses nga Abazi në minutën 39 dhe me rastin shumë të mirë të Ramushit në minutën 45, por që Latifaj intervenoi bukur.

Nuk kanë kaluar as tetë minuta të pjesëlojës së dytë, kur Ve. Sermaxhaj dhe gjuajtje nga largësia e portieri Ajdini, disi u ngatërrua dhe nuk kapi topin si duhet e shumë afër u gjet i vëmendshmi P. Osmani që e dërgoi topin në rrjetë.

Në minutën 60, sërish ishte i vetmuar Ramushi, por ai kësaj radhe gjuajti jashtë, kurse në minutën 65, Shabani ka treguar mjeshtëri të rrallë, ngase me veprime mashtruese ka vënë në lajthitje tërë mbrojtjen e Dritës dhe kur doli në pozitë të mirë, ka gjuajtur portën tërësisht në anën e kundërt, duke qëlluar këndin e epërm të djathë të pambrojtur të Latifajt.

Sadulla Ajeti, kryetrajner i Gjilanit tha se tërë atë që e kishin planifikuar para ndeshjes, lojtarët e zbatuan në fushë. “Patëm edhe raste të tjera, por i konkretizuam vetëm dy prej tyre. Këtë fitore ia dedikojmë lojtarëve që u angazhuan së tepërmi”, tha Ajeti.

Kryelajmi.com

You Might Also Like