Kuvendi Komunal i Gjilanit, të premten, në mbledhjen e udhëhequr nga Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka miratuar raportin financiar janar-mars 2017, propozimet e komisionit për emërtimet e rrugëve dhe adresave, lokacionet dhe hapësirat publike për vendosjen e përmendoreve, shtatoreve, busteve dhe simboleve, ndarjen e subvencioneve për shoqatat “Pema”, “Handikos”, “Liria” dhe Shoqatën e të Verbërve, raportin financiar të manifestimit “Flaka e Janarit 2017”, projektin për funksionimin e Teatrit të Qytetit për vitin 2017, vendimin për alokimin e mjeteve financiare si dhe nismën e grupit të këshilltarëve të LDK-së për shpalljen “Qytetar nderi” të presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani.
Emërtimet e rrugëve si dhe caktimi i lokacioneve për përmendore, janë bërë shkas që opozita (PDK, LVV, Nisma) të lëshojnë seancën e Kuvendit, ende pa u miratuar rendi i ditës. Në të vërtetë, opozita kërkoi shtyrjen e këtyre dy pikave, deri në seancën e ardhshme, për të gjetur një konsensus mes subjekteve politike, duke thënë se as komisioni nuk ka pasur konsensus në vendosjen e të gjitha propozimeve.
Sahit Abazi (PDK) tha se komisionit duhet t`i jepet një kohë shtesë, të paktën një muaj, që t`i shqyrtojë ankesat e qytetarëve dhe të kthejë përgjigje në to. Për më tepër, Abazi ka thënë se bëhet fjalë për çështje të ndjeshme, që nuk duhet të kalohen pa një konsensus politik në Kuvend Komunal.
I pa kënaqur me punën dhe përbërjen e komisionit u shpreh edhe Bujar Nevzati (PDK), i cili tha se komisioni nuk i ka marrë parasysh propozimet e këshillave të fshatrave, ndërsa janë futur në listë emra pa u diskutuar fare.
Arjeta Rexhepi (VV) e ka vlerësuar të papranueshëm vendosjen për këto tema të ndjeshme, në fund të një mandati politik, ndërkaq Fehmi Sylejmani (VV) ka thënë se këto emërtime të kontestueshme, do të jenë të pavlefshme për ta.
Bajram Hasani (Nisma) ka thënë se në këtë listë ka edhe emra që nuk duhet të jenë aty. Ai ka pasur vërejtje edhe te komisioni për caktimin e lokacioneve për shtatore, buste dhe përmendore.
Ndërkaq, subjektet e koalicionit qeverisës i dhanë përkrahje listës, duke kërkuar që në dy-tri raste kontestuese, të respektohen propozimet e këshillave lokale.
Avdyl Aliu (LDK) ka thënë se Gjilani, edhe ashtu është vonuar që t`i miratojë emërtimet dhe ka kërkuar që këto pika të procedohen në seancën e sotme, meqë komisioni e ka kryer punën e vetë.
Isa Agushi (LDK) ka kërkuar të respektohen propozimet e këshillave të fshatrave dhe të mos imponohen emra atje ku mjedisi nuk i njeh.
Selami Xhemajli (AAK) ka thënë se këshilltarët e këtij subjekti politik do t`i votojnë propozimet e komisionit nëse respektohet vullneti i këshillave lokale.
Kuvendi, me shumicë votash, vendosi që këto pika t`i procedojë në seancën e sotme, ku edhe u miratuan, duke nënvizuar faktin se Komuna e Gjilanit, edhe ashtu është vonuar mjaft për të përfunduar këtë proces.
Braktisjen e seancës nga opozita, para se propozimet e saj të nxirreshin në votim dhe të miratohej rendi i ditës, kryesuesja e Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku-Rexhepi e ka quajtur marketing politik, duke thënë se ata, që më herët kishin vendosur për këtë gjë.
Kryesuesja e Kuvendit vlerësoi se komisioni ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë.
Përndryshe, Kuvendi ka miratuar edhe raportin financiar janar-mars 2017, të cilin e ka prezantuar drejtori për Buxhet, Zijadin Maliqi, raportin financiar të manifestimit “Flaka e Janarit 2017”, pastaj projektin për financimin e Teatrit të Qytetit si dhe atë për ndarjen e subvencioneve për katër shoqata.
Nexhat Hajrullahu, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka thënë se për Qendrën e kujdesit ditor “Pema” propozohen 10 mijë euro, për Shoqatën “Handikos” – 13.500, për Shoqatën e të verbërve – 5000 si dhe për Shoqatën “Liria” – 5 mijë euro.
Po ashtu, Kuvendi miratoi kërkesën e DKA-së për ndarjen e një shume të mjeteve prej 7000 euro, për organizimin e Olimpiadës mbarëkombëtare të Matematikës, që e ka arsyetuar drejtoresha Shqipe Kastrati.
Kuvendi ka miratuar edhe vendimin për plotësimin e komisionit për ankesa, si dhe vendimin për lejimin e bartjes së mjeteve financiare.
Njëherësh, Kuvendi Komunal i Gjilanit i ka dhënë përkrahje nismës së grupit të këshilltarëve të LDK-së, të cilën e ka prezantuar Avdyl Aliu, për shpalljen “Qytetar nderi” të presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, më 12 maj, gjatë vizitës në vendin tonë.
Përndryshe, Saranda Bllaca (LDK) është bërë anëtare e re e Kuvendit Komunal, në vend të Jehona Hysenit (LDK) e cila është punësuar në shërbimin civil dhe sipas ligjit nuk mund jetë vendimmarrëse komunale.