Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) tash e sa kohë e ka zënë ngushtë kryetarin e komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili po përpiqet të kalojë bartjen e mbi 2,5 milionë eurove, por që nuk po e ka shumicën në Asamblenë Komunale.
Duke qenë subjekti më i madh në Asamblenë Komunale të Gjilanit, LDK ka parashtruar disa kërkesa drejtuar të parit të komunës, mbase pas të cilave do të zhbllokohej kjo çështje.
Disa kërkesa i pati edhe PDK, më saktësisht nëntë, të cilat i kishte paraqitur një konferencë me gazetarë, ku siç është thënë pa plotësimin e të cilave gjërat nuk do të mund të ecnin para.
Në situatën e krijuar, edhe kreu i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni e ka zënë ngushtë LDK-në, duke paralajmëruar se në seancën e radhës do t’i plotësojë kërkesat e tyre, ndonëse shumë prej tyre ai i quajti të paarsyeshme.
U duk që ky ngërç i krijuar do të tejkalohej, por në seancën e kësaj të enjte, LDK, përmes shef të grupit të saj, Abdyl Aliu i është kthyer çështjes së vjetër, asaj të transmetimit live të seancave.
Këshilltarëve të LDK-së në Asamblenë Komunale të Gjilanit nuk po ju mjafton transmetimi i seancave të Asamblesë Komunale në mediumet lokale, por po kërkojnë edhe më shumë, andaj këtë të enjte i kanë lëshuar punimet e Asamblesë, ndonëse në momentet kur po fliste shefi i grupit të tyre, transmetimi live po shkonte në shumicën e mediumeve.
Avdyl Aliu, shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së lëshuarjen e seancës e ka lidhur me mungesën e transparencës, bile shkoi aq larg sa e quajti edhe terr informativ.
Derisa këshilltarët e LDK-së po e lëshonin sallën, ka reaguar Ismajl Kurteshi, nga VV-ja, që ka thënë se seanca e sotme
i përmbushë kushtet ligjore për t`u mbajtur dhe ka kërkuar nga grupi i këshilltarëve të LDK-së që të mos e braktisin Kuvendin.
“Ata që e lëshojnë seancën marrin përgjegjësi para qytetarëve të komunës së Gjilanit”, ka thënë Kurteshi, duke shtuar se ajo që po kërkohet nga shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së është e përtej ligjshme, megjithëse u pajtua që edhe kjo kërkesë të plotësohet.
Pasi LDK e braktisi sallën e mbledhjeve, Kuvendi mbeti pa kuorum, për çka kryesuesi Kushtrim Kadriu u detyrua t’a ndërpres seancën.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kreut të komunës, Alban Hyseni, i cili ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme me gazetarë, ku ka thënë se po shihet haptas se këtu nuk kemi të bëjmë as me transparencë e as me transmetim, por se qëllimi i tyre është krejt tjetër, sepse asnjëherë deri më tashti aq shumë mediume nuk i kanë përcjellë punimet e Asamblesë Komunale të Gjilanit.
Ndryshe edhe dega e LDk-së në Gjilan ka dalë me një reagim, ku ka arsyetuar veprimin e këshilltarëve të saj duke e akuzuar të parin e komunës.
,,Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për çdo çështje me rëndësi, me theks të veçantë për buxhetin komunal dhe bartjet buxhetore, andaj na mundësoni diskutimin dhe votimin për miliona euro që i nevojiten komunës sonë!
Asgjë më shumë se transparenca dhe ligjshmëria nuk po kërkojmë!,, është thënë në komunikatën e LDK-së.
Përndryshe, në rend dite të seancës së sotme, të gjashtës me radhë, kanë qenë këto pika: Raporti i Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Gjilanit për vitin 2023 (Plani i veprimit për zbatimin e Rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit), Vlerësimi i rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera për Komunën e Gjilanit, Projekt Rregullorja për ndarjen e bursave, Diskutimi rreth ngritjes së kujdesit institucional për grupet e margjinalizuara. /kryelajmi.com/.