KULTURA

VARG E VI ME DIPLOMACI KULTURORE NË SUEDI

Varg e Vi, 16 tetor 2024, Stokholm/Suedi –
“Katër në një” si projekt me katër lloje aktivitetesh artistike, nga Varg e Vi, u realizua në Stokholm të Suedisë, në Qendrën për edukim dhe kulturë “ABF HUSET’”, më 12 tetor 2024. Aktiviteti përfshiu: stand up komedi, ekspozita dhe përurim libri.
Ngjarja fillimisht u hap nga Nexh Deti – përfaqësuesi i mërgatës shqiptare në Suedi nga shoqata “Dardania”, i cili i ofroi mirëseardhje artistëve dhe autorit nga Kosova, falënderoi Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ambasadën e Kosovës në Stokholm për financimin e projektit që promovon kulturën shqiptare në Suedi dhe diplomacinë kulturore si mjet i fuqishëm për të ndërkombëtarizuar Kosovën si shtet. Më pas, Deti informoi komunitetin shqiptar për projektin “Katër në një”, tregoi për nevojën që ka mërgata shqiptare në Suedi për aktivitete të ngjashme kulturore, rëndësinë e bashkëpunimit në mes të Suedisë dhe Kosovës, si dhe nevojën që ka për aktivitete cilësore kulturore, të cilat i përshtaten brezit dhe gjeneratës së re të shqiptarëve në Suedi, pasi që kanë ndodhur transformime të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në vetë mërgatën shqiptare në Suedi dhe kudo në botë.
Audienca fillimisht u argëtua me një stand up komedi nga Avni Shkodra, ku mërgata shqiptare në Stokholm përjetoi një natë të mbushur me humor dhe ngjarje nga jeta e përditshme e Shkodrës, raportet me mërgatën, kontributin e saj në zhvillimin ekonomik të shqiptarëve në Kosovë dhe një rrugëtim nga paralufta drejt zhvillimeve të reja pas çlirimit, lirisë dhe pavarësisë, si dhe ndryshimet sociale në raportet e shqiptarëve të Kosovës me mërgimtarët jashtë vendit. Stand up komedia, e njohur për aftësinë e saj për të trajtuar tema serioze me një qasje të lehtë, solli skena dhe situata që shumë shqiptarë që jetojnë në Suedi i njohin dhe i bënë ta duartrokisnin shpesh stand up komedianin dhe aktorin Shkodra.
Më pas, në hapësirën tjetër të “ABF HUSET”, pjesëmarrësit kaluan në galeri për ta parë një ekspozitë me fotografi nga Migjen Fazliu. Fotografitë e Fazliut treguan momente të përditshmërisë, traditat dhe kulturën shqiptare. Ekspozita në Stokholm ishte pjesë e ekspozitës “Memento Vivere” – si ekspozitë familjare e fotografit Fazliu, me fotografi të gjyshit të tij nga linja atërore biologjike, e fotografit të ndjerë, Muhamed Fazliut, si një thënie “Kujto të jetosh”, e cila na thërret për rëndësinë e jetës dhe eksperiencës së të qenit gjallë. Në kohërat e vështira, si ajo e inflacionit dhe pandemisë, është edhe më e rëndësishme të kujtojmë që jeta është një akt dhe proces i papërsëritshëm dhe duhet të përjetohet për çdo çast. Në këtë kontekst, shkrepjet fotografike si ato të Muhamedit, të përzgjedhura me mjeshtri artistike nga fotografi – Migjeni, në bashkëpunim me kuratorin Din Azizin, janë kujtesë individuale, familjare e institucionale. Përmes fotografisë, ne fuqizojmë kujtesën nga njëri brez në tjetrin, nga gjyshërit te nipërit, nga personalja e familjarja në kujtesë institucionale.
Në anën tjetër, pjesëmarrësit vizituan ekspozitën me piktura të ekspozuara për herë të parë në Stokholm për mërgatën shqiptare, nga Din Azizi, një set i pikturave me dimensione mesatare dhe të mëdha, me ngjyra të kombinuara fuqishëm, me lejlekun si metaforë e shtegtimit, migrimit dhe lëvizjes gjeografike, duke vënë analogji edhe me emigrimin e njerëzve, përfshirë edhe ngulitjen e shqiptarëve në Suedi, veçmas në Malmö të Suedisë, por edhe në Stokholm e qytete të tjera. Mërgimtarët në Stokholm për dallim nga përqendrimi i madh i shqiptarëve të Komunës së Mitrovicës në Suedi, vinin edhe nga Fusha Kosova, Prishtina, Drenasi, Gjilani e më gjerë. Projekti ishte i veçantë edhe për shkak të organizimit kulturor në kryeqytetin suedez, pasi më shumë ka aktivitete kulturore në Malmö, për shkak të përqendrimit më të madh të mërgatës atje.
Më pas, audienca mori pjesë në promovimin, shpërndarjen falas të librit dhe diskutimin mbi veprën “Hajmet i hanë refugjatët” të Avni Rudakut, ku u parashtruan shumë pyetje mbi tematikën, metodologjinë e të shkruarit mbi refugjatët dhe pyetjet e tjera rreth librit, duke bashkëbiseduar direkt me autorin Rudaku.
Në fund, u organizua edhe një koktej socializues për të bashkëbiseduar me pjesëmarrësit nga shoqata “Dardania” dhe për t’u njohur me mërgimtarët shqiptarë në Suedi.
Projekti është financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, në kuadër të programit për Diplomaci Kulturore. Projekti për zbatim është përkrahur edhe nga Ambasada e Kosovës në Stokholm, shoqata shqiptare “Dardania” në Suedi dhe Uji Royal, nga kompania e njohur kosovare.
Aktiviteti “Katër në një” ishte një mundësi fantastike për të mbledhur komunitetin shqiptar në Suedi. Duke kombinuar humorin, artin vizual, fotografinë dhe librin, ky aktivitet ofroi një platformë të shkëlqyer për shprehjen e kreativitetit dhe përforcimin e identitetit kulturor shqiptar edhe jashtë vendit, si dhe një mundësi për të njohur artin kosovar dhe botimet e reja shqiptare nga vetë shoqëria suedeze, ku kishte edhe pjesëmarrës suedezë në ekspozitë, ku mërgata shqiptare ishte urë ndërlidhëse në mes të artistëve dhe autorit nga Kosova me shoqërinë suedeze.

You Might Also Like