Ishin deputetë për katër vite në Kuvendin e Kosovës, por nuk e kanë marrë besimin që të përfaqësojnë zgjedhësit e Komunës së Gjilanit edhe për katër vitet e tjera.
Në bazë të rezultatit final zgjedhor, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 48 deputetë, PDK 24, LDK 20, AAK-NISMA 8, 9 deputetë Lista Serbe, 1 mandat e ka fituar ZSPO e Nenad Rashiqit dhe 10 deputetë nga pakicat tjera joserbe.
Partia Demokratike e Kosovës nga Gjilani nuk pati asnjë përfaqësues, kurse edhe kësaj here do të mbetet e pa përfaqësuar, gjë e cila ndodhi edhe me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Gjilan nga radhët e saja pati vetëm një deputete, Valentina Bunjakun – Rexhepi, por që ajo kësaj radhe nuk e mori besimin për të qenë deputete edhe për një mandat.
Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, ajo ka dalë me një deklaratë, ku ka theksuar se në këto zgjedhje, LDK dhe kryetari Lumir Abdixhiku ofruaa program konkret, të detajuar për të ardhmen e vendit e qytetarëve të Kosovës.
“Morëm rezultatin jo të pritur e ndoshta as të merituar, por u ngritëm më mirë, u bëmë më shumë.
Unë, si kandidate për deputete nga Gjilani kërkova besimin tuaj dhe për LDK me votë, por kësaj radhe mbetem jashtë parlamentit duke u votuar 12.583 herë nga ju. Falënderoj nga zemra të gjithë votuesit e mi kudo në Gjilan, Anamoravë e Kosovë, falënderoj mërgatën tonë veçanërisht e të gjithë ata që besuan në LDK“, ka thënë Rexhepi, që ka shtuar se përtej qëllimeve personale, falënderoj edhe ata që nuk votuan numrin 21 në listë por dhanë votën për LDK si interes i përgjithshëm. Andaj, ju inkurajoj që ta përkrahim vazhdimisht edhe më tej LDK si alternativën më të mirë për zhvillimin vendit në të ardhmen. LDK do të kthehet si forca kryesore e Kosovës aty ku duhet dhe aty ku e meriton. Sepse, nuk ka zgjidhje tjetër, nuk ka më të mirë.
E në veçanti falënderoj të gjithë që më përkrahen në këtë rrugëtim bashkëpunëtorët, aktivistët, kolegët, Forumin e Gruas në Gjilan dhe familjen time. Besoj të mos i kam zhgënjyer përkundër sfidave, e anashkalimeve ndonjëherë me e pa arsye.
Unë, Valentina Bunjaku Rexhepi mbetem një Rugoviste e përjetshme, e bindur në traditën dhe ideologjinë e saj.
Kosova meriton më shumë, dhe do ta gjejë rrugën e saj të duhur duke u bërë vend i dëshiruar e i dashur për njerëzit që jetojnë e kontribuojnë në të, ka thënë ajo.
Nga LDK-ja e Gjilanit, kësaj radhe deputet është zgjedhur Lutfi Haziri, që është kryetar i kësaj dege, derisa një numër të madh të votave ka marrë edhe Krenar Xhaferi, që është me prejardhje nga Gjilani, por që gjithsesi se i përket degës së LDK-së në Prishtinë.
Vetëvendosje, e cila ka marrë më së shumti vota në Gjilan do të ketë më së shumti deputetë nga Gjilani, por jashtë kanë mbetur Luan Aliu, ish-deputet dhe njëri prej aktivistëve të ditëve të para të VV-së, sikurse edhe Hydajet Hyseni, emër i njohur në Lëvizjen Kombëtare në Kosovë. /kryelajmi.com/.