Futboll

Blerta Shala, njëra ndër futbollistet më të mira në Kosovë përfundon karrierën

Blerta Shala, kapitene e KFF Mitrovica, ish-reprezentuese e Shqipërisë dhe e Kosovës dhe ish-futbollistja më e mirë në Kosovë i ka dhënë fund karrierës në futboll. Ndeshja KFF Feronikeli 0–3 KFF Mitrovica, me të cilën është mbylli sezoni vjeshtor ka qemë e fundit për të.

Babai i saj, Blerim Shala, pedagog i Kulturës Fizike dhe Sportit, i ka kushtuar një dedikim, në të cilin ka shkruar:

BLERTË, VAJZA IME, KRENARIA E JETËS SIME!

Sot po mundohem t’i gjej fjalët për të shkruar për ty, por sinqerisht, nuk po mundem. Po i shkruaj këto rreshta me lot në sy dhe me zemrën plot emocione. Sepse sot po vjen një moment që kurrë nuk kam menduar se do të ishte kaq i vështirë për mua: fundi i karrierës tënde futbollistike.

Gjithçka filloi në vitin *2012, në Gjilan*. Aty nisi rrugëtimi yt, aty filluan ëndrrat, sakrificat dhe një histori e jashtëzakonshme që do të mbetet përgjithmonë në zemrën time.

Që në fillimet e tua u dallove me talentin, përkushtimin dhe disiplinën tënde. U shpalle *Sportistja e Vitit në Gjilan*, ndërsa më vonë u bëre njëra ndër futbollistet më të mira në Kosovë.

Në vitin 2014 pranohesh në *Kombëtaren e Shqipërisë*, ku për dy vite përfaqësove me krenari fanellën kuqezi.

Po atë vit transferohesh te klubi i *Hajvalisë*, ku shpallesh futbollistja më e mirë në Prishtinë. Me Hajvalinë përjetove edhe emocionet e kualifikimit në Ligën e Kampionëve, ku shënove gol edhe kundër skuadrës së njohur të Lisbonës nga Portugalia.

Në vitin 2015 nis një kapitull tjetër i madh i jetës tënde sportive. Transferohesh te *KFF Mitrovica* dhe bëhesh pjesë e Kombëtares së Kosovës.

Dhe aty fillon një histori që vështirë se mund të përshkruhet me fjalë! **Nëntë herë kampione e Kosovës! Nëntë herë fituese e Kupës së Kosovës!

Sërish shpallesh futbollistja më e mirë e Mitrovicës dhe njëra ndër më të mirat në Kosovë.

Sa shumë gola, sa shumë asistime, sa shumë pasime vendimtare, sa shumë gola të bukur dhe sa shumë emocione! Edhe golat e shënuar drejtpërdrejt nga këndi do të mbeten në kujtesën tonë.

Por, Blertë, për mua ti nuk ke qenë vetëm një futbolliste e suksesshme.

*Ti ke qenë një engjëll në jetën time dhe një engjëll në fushën e futbollit.*

Çdo ditë, çdo javë, çdo muaj dhe çdo vit më ke dhuruar emocione që nuk mund të përshkruhen. Më ke bërë të qaj nga gëzimi, të festoj, të dridhem nga emocionet dhe të ndihem babai më krenar në botë.

Kudo që ke luajtur, kudo që ke udhëtuar dhe kudo që ke përfaqësuar klubin apo Kombëtaren, më ke bërë krenar.

Jo vetëm me atë që ke bërë në fushë, por mbi të gjitha me atë që je jashtë saj: me sjelljen, kulturën, edukatën, respektin dhe disiplinën tënde.

Si baba, nuk ka çmim më të madh sesa të shohësh vajzën tënde të rritet dhe të bëhet një vajzë e mrekullueshme, e respektuar dhe e dashur nga të gjithë.

Dua të shpreh një *falënderim të jashtëzakonshëm për KFF Mitrovicën*, për të gjithë stafin, trajnerët dhe secilin person që ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi të Blertës.

Një falënderim shumë të veçantë dhe nga zemra për kryetarin e klubit, z. Hajrullah Haxhiu.

Kryetar, për gjithçka që ke bërë për Blertën dhe për përkrahjen që i ke dhënë gjatë gjithë këtyre viteve, do të jem gjithmonë mirënjohës. Je një njeri i mirë, punëtor dhe një njeri që nuk do ta harroj kurrë për të mirat që ke bërë.

Faleminderit nga zemra!

E tani, Blertë, po vjen momenti kur nuk do t’i kemi më ato emocionet e ndeshjeve, pritjet para lojërave, golat, asistimet dhe festat pas fitoreve.

*Do të më mungojnë pafund ndeshjet e tua. Do të më mungojë futbolli. Do të më mungojë ajo ndjesia kur të shihja duke hyrë në fushë me fanellën tënde.*

Ndoshta nuk do të të shoh më duke luajtur, por dua ta dish se nuk ka asnjë ndeshje, asnjë gol dhe asnjë trofe që mund ta krahasoj me krenarinë që kam për ty.

Karriera jote mund të përfundojë sot, por historia jote nuk përfundon këtu. Ajo do të jetojë përgjithmonë në kujtimet tona.

*Blertë, të uroj shëndet, lumturi dhe jetë të gjatë!*

Jam krenar për ty. Jam pafundësisht i lumtur që jam babai yt. Nuk besoj se ka fjalë që mund ta shprehin sa shumë më ke bërë krenar dhe sa shumë të dua.

Nëse do të kisha mundësi ta jetoja edhe një herë këtë rrugëtim, do ta zgjidhja përsëri çdo ditë, çdo udhëtim, çdo ndeshje, çdo lot dhe çdo gëzim që ma ke dhuruar.

Faleminderit që ma bëre jetën kaq të bukur!

*Të dua pa fund, bija ime!*

Me dashuri të pafund, *BABI YT ❤️*

You Might Also Like