Ish-përzgjedhësi i Kombëtares U19 të Kosovës, Adil Maliqi, po korr suksese të mëdha në Zvicër duke udhëhequr skuadrën e të rinjve të FC Schaffhausen U18 drejt një arritjeje historike – kualifikimin në fazën Play Off të futbollit zviceran.
Pavarësisht se e mori drejtimin e skuadrës me vonesë dhe në një moment kur ajo gjendej në fund të tabelës, Maliqi arriti që me punë, përkushtim dhe vizion të qartë, ta ringjallë ekipin dhe ta dërgojë ndër katër më të mirat në nivel kombëtar.
Në fazën e Play Off-it, Schaffhausen U18 do të përballet me emra të mëdhenj të futbollit zviceran si Luzern, Basel dhe Zurich, duke bërë që kjo pjesëmarrje të konsiderohet një sukses i jashtëzakonshëm për klubin dhe vetë trajnerin.
Maliqi, i njohur për punën e tij profesionale edhe gjatë kohës sa ishte në krye të Kombëtares U19 të Kosovës, thekson se ndonëse kishte arritur rezultate të mira me ekipin kombëtar, u largua në mënyrë të pakuptueshme.
“Për një kohë isha pa klub. Jo se nuk kisha oferta, por isha i tronditur se si një trajner që bën histori me Përfaqësuesen largohet pa arsye. Kjo ishte e paimagjinueshme për mua,” – u shpreh Maliqi.
Megjithatë, dashuria për futbollin e riktheu sërish në fushë:
“Vendosa ta pranoj sfidën me Schaffhausen U18. E mora kur ishin të fundit në tabelë, por me punë dhe disiplinë arritëm të jemi ndër më të mirët. Në skuadrën time kam 5-6 futbollistë shqiptarë, për të cilët pritet që shumë shpejt të bëjnë emër në futbollin evropian. Në këtë Play Off do të kërkojmë finalen dhe, me pak fat, edhe titullin e kampionit.”
Adil Maliqi po dëshmon edhe një herë vlerat dhe profesionalizmin e tij si trajner, duke u rikonfirmuar si një nga emrat më premtues shqiptarë në trajningun modern të futbollit. Sukseset e tij në Zvicër pritet ta çojnë shumë shpejt drejt një skuadre të madhe në futbollin helvetik.