Gjilan

Nipi i humanistit Bejtullah Kqiku, në garë për Asamblenë Komunale me LDK-në

Bejtullah Kqiku, një i ri me vizion të qartë dhe energji për ndryshim, tashmë ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për Asamblenë Komunale të Gjilanit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Bejtullah Kqiku është një i ri që bart emrin e babgjyshit të tij, i cili është i njohur për gjithë opinionin kosovar, Bejtullah Kqiku “Bejta Commerc”. Ai ishte një humanist i madh, i njohur për kontributin e tij të jashtëzakonshëm ndaj njerëzve, duke mos hezituar kurrë t’u dalë në ndihmë atyre që kishin nevojë. Përveç kësaj, ai kishte dhënë një kontribut të madh edhe në sfera të ndryshme shoqërore, duke lënë pas një emër të respektuar në komunitet.

Me një program të ndërtuar mbi pesë pika kyçe, Kqiku synon të sjellë qasje të reja në zhvillimin ekonomik, përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e cilësisë së shërbimeve publike, fuqizimin e rinisë dhe kulturës, si dhe garantimin e transparencës në qeverisjen lokale.

Kqiku ka bërë të ditur se fushata e tij do të mbështetet mbi pesë pika kryesore, të cilat, sipas tij, do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e komunës.

Pesë shtyllat kryesore të programit të Kqikut janë:

1. Zhvillimi ekonomik lokal – Nxitja e investimeve dhe mbështetja e bizneseve vendore me qëllim të rritjes së vendeve të punës dhe fuqizimit ekonomik të qytetit.

2. Përmirësimi i infrastrukturës – Modernizimi i rrugëve, kanalizimeve, ndriçimit publik dhe infrastrukturës urbane për një qytet më funksional.

3. Shërbime publike më cilësore – Rritja e cilësisë në shërbimet komunale duke vendosur qytetarin në qendër të vendimmarrjes.

4. Rinia dhe kultura – Përkrahja e aktiviteteve rinore dhe zhvillimi i jetës kulturore për të krijuar më shumë mundësi për gjeneratat e reja.

5. Transparencë dhe llogaridhënie – Sigurimi i një qeverisjeje komunale të hapur, transparente dhe me përgjegjësi të plotë ndaj qytetarëve.

“Qytetarët e Gjilanit meritojnë një qeverisje lokale që punon për ta, me projekte konkrete dhe të matshme. Këto pika janë prioritetet e mia dhe do të angazhohem me gjithë kapacitetin tim që të bëhen realitet nëse siguroj një ulëse në Kuvendin Komunal,” ka deklaruar Kqiku.

You Might Also Like