Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, nën udhëheqjen e Rektorit Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka mbajtur një takim gjithëpërfshirës me përfaqësues nga sektori privat dhe publik, nga komuna e Gjilanit, Kamenicës dhe Vitisë.
Qëllimi kryesor i takimit ishte zgjedhja e mandatit të ri të Bordit Këshillëdhënës (Industrial) të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, një strukturë kyçe për orientimin zhvillimor, akademik dhe profesional të institucionit.
Takimin fillimisht e hapi Prof. Asoc. Dr. Naim Mustafa, Prorektor për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë, i cili falënderoi pjesëmarrësit për prezencën dhe vlerësoi kontributin e vazhdueshëm të sektorit publik e privat në avancimin e universitetit.
Më pas, Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, në fjalën e tij falënderoi të gjithë për praninë dhe gatishmërinë për të qenë pjesë e këtij procesi të rëndësishëm. Ai theksoi se roli i Bordit Këshillëdhënës Industrial është jetik për zhvillimin e politikave të qëndrueshme akademike dhe për forcimin e lidhjeve mes universitetit dhe tregut të punës.
“Një nga objektivat më të rëndësishme të Bordit Këshillëdhënës Industrial (BKI) është të kontribuojë në suksesin strategjik të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dhe të programeve studimore të fakulteteve të tij”, tha Rektori Dërmaku.
Ai shtoi se BKI do të ndihmojë universitetin në ndërtimin e një imazhi më të fuqishëm institucional, integrimin e perspektivës industriale në programet universitare, tërheqjen e granteve kërkimore dhe promovimin e projekteve të dizajnuara nga studentët.
Po ashtu, theksoi se përmes këtij bashkëpunimi pritet të avancojë organizimi i praktikave profesionale, duke shtuar se një ndër prioritetet e përbashkëta mbetet zgjidhja e çështjes së kampusit universitar, i cili vazhdon të jetë ende i padefinuar, një problem unik në nivel vendi.
Pas diskutimeve, vetë përfaqësuesit e institucioneve komunale, kompanive dhe bizneseve të Anamoravës votuan dhe zgjodhën kryetarin e ri të Bordit Këshillëdhënës (Industrial) për mandatin 2025–2029. Me shumicë votash, kryetar i BKI u zgjodh, Ibrahim Krivaqa nga kompania “Albimi”.
Në fjalën e tij pas zgjedhjes, kryetari i ri, Ibrahim Krivaqa, pasi falënderoi të gjithë për besimin, theksoi se do të angazhohet për ta forcuar rolin e këtij bordi dhe për të kontribuar në zhvillimin e UKZ-së.
“Do të mundohem të punoj në të mirë të universitetit dhe të krijojmë ura bashkëpunimi që sjellin rezultate konkrete për studentët, industrinë dhe komunitetin,” u shpreh Krivaqa.
Rektori Dërmaku e uroi Krivaqën për zgjedhjen dhe kërkoi nga të gjithë anëtarët e bordit që të sjellin ide konkrete për zhvillimin e programeve bashkëkohore dhe në hap me kërkesat e tregut të punës, duke ritheksuar se ky është një synim i përbashkët i universitetit dhe partnerëve të tij institucionalë e ekonomikë.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e institucioneve komunale, kompanive dhe bizneseve të Anamoravës shprehën kënaqësinë për qasjen bashkëpunuese që ka treguar Universiteti Publik “Kadri Zeka” ndaj tyre. Ata konfirmuan gatishmërinë për të kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në zhvillimin akademik, profesional dhe infrastrukturor të universitetit, duke e parë këtë bashkëpunim si të dobishëm për të gjithë rajonin.


