ARSIMI

Sigurimi i dollapëve për nxënësit, masë shtesë për përmirësimin e kushteve për nxënësit në procesin mësimor

Nëpër shkollat e mesme të Gjilanit, këtë të enjte u mbajt një takim i përbashkët ndërmjet përfaqësuesve të shkollave të mesme të qytetit, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmirësimin e kushteve për nxënësit në procesin mësimor. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Shkolla Ekonomike “Marin Barleti”, Shkolla Teknike “Mehmet Isai”, Gjimnazi Shoqëror “Zenel Hajdini”, Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” si dhe Shkolla e Mesme e Lartë e Artit Pamor dhe Shkolla e Muzikës.

Gjatë diskutimeve u trajtuan nevojat dhe sfidat me të cilat përballen nxënësit në përditshmëri, si dhe u theksua rëndësia e krijimit të një ambienti më të sigurt, më të organizuar dhe më funksional brenda hapësirave shkollore. Si rezultat i angazhimit dhe takimeve të vazhdueshme, Shkolla Ekonomike “Marin Barleti” ka arritur të përfitojë mbështetje nga një fondacion për sigurimin e dollapëve për nxënësit. Ky investim do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të mësimit, duke u mundësuar nxënësve ruajtjen e librave dhe materialeve shkollore në mënyrë më të rregullt dhe të sigurt. Bashkëpunimi ndërmjet shkollave dhe mbështetja e ofruar dëshmojnë përkushtimin e vazhdueshëm për rritjen e cilësisë së arsimit dhe mirëqenies së nxënësve.

Kjo komunikatë është përgatitur nga Marigona Sylejmani, nxënëse e Shkollës Ekonomike “Marin Barleti”.

You Might Also Like