Gjilan, 07 Prill 2026
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Gjilan Kolonel Agron Rukiqi, së bashku me stafin e tij, sot, në ambientet e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, ka pritur në takim pune Kolonel Sam Sargeant, Komandant i Komandës Rajonale-Lindje, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij.
Gjatë këtij takimi u trajtuan çështje me rëndësi të veçantë që lidhen me situatën e përgjithshme të sigurisë, koordinimin operacional, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe avancimin e partneritetit ndërmjet Drejtorisë Rajonale të Policisë dhe KFOR-it.
Në kuadër të vlerësimeve zyrtare, të dyja palët konstatuan se situata e sigurisë në rajon paraqitet e qetë dhe stabile. Të dyja palët riafirmuan përkushtimin e tyre për bashkëpunim të mëtejmë dhe koordinim të vazhdueshëm në funksion të ruajtjes së rendit, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Drejtori Rajonal shprehu mirënjohjen e tij ndaj Kolonel Sergeant dhe stafit të tij për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të KFOR-it ndaj Policisë së Kosovës.



