Është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit. ndërmjet Drejtoratit për Shëndetësi dhe Mirëqenies Sociale dhe Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë, me qëllim të themelimit të Këshillit të Pacientëve në Komunën e Gjilanit.
Nënshkrimi i memorandumit e bë nga drejtoresha Mimoza Kadriu Qerimi dhe drejtori ekzekutiv i SHDPK, Agron Bytyqi. I pranishëm ishte edhe u. d të drejtorit të QKMF-ës, drejtori Basri Kamberi.
Ky bashkëpunim parasheh një sërë aktivitetesh të rëndësishme, duke përfshirë hartimin e dokumentacionit për funksionalizimin e Këshillit, përzgjedhjen e anëtarëve, monitorimin e punës së tij, si dhe organizimin e aktiviteteve që synojnë adresimin e nevojave dhe shqetësimeve të pacientëve.
Përmes këtij memorandumi synohet fuqizimi i rolit të pacientëve, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve shëndetësore, si dhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin shëndetësor.
Themelimi i Këshillit të Pacientëve është një hap i rëndësishëm drejt përfshirjes aktive të qytetarëve dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre.
Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Kadriu Qerimi, tha se ky është një hap historik për shëndetësinë primare.
“Sot shënohet një moment i jashtëzakonshëm për qytetarët dhe sistemin shëndetësor: pacienti nuk është më vetëm përfitues i shërbimeve, por bëhet aktor kyç në vendimmarrje”, tha Kadriu.
Sipas saj për herë të parë, themelimi i Këshillit të Pacientëve hap një kapitull të ri, duke i dhënë qytetarëve fuqinë për të qenë pjesë aktive në formësimin, monitorimin dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në nivelin primar.
Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, theksoi se ky mekanizëm i ri do të mundësojë: monitorim të drejtpërdrejtë të shërbimeve. Avokim të fuqishëm për cilësi më të lartë. Përfaqësim real të zërit të pacientit.
“Sot është bërë një hap i madh, i guximshëm dhe transformues për shëndetësinë primare. E drejta e pacientit po ngrihet në një nivel krejtësisht të ri”, tha Mimoza Kadriu.
Drejtoresha shtoi se ky është vetëm fillimi i një epoke ku qytetari është në qendër të çdo vendimi.




