Kamenicë

Ismajl Ismajli kushtrimi i lirisë që u shndërrua në gurthemel të Kosovës

Sot, mbushen 27 vite që kur në fshatin Kopernicë të Kamenicës, ra për të mos u shuar kurrë në altarin e përjetësisë, kolosi i lirisë, Ismajl Ismajli.

Ishte 11 maji i vitit 1999, një kohë kur flakët e luftës kishin përfshirë çdo cep të atdheut, kur Ismajli u përball me egërsinë e pushtuesit serb për të vulosur me gjakun e tij lirinë që ne gëzojmë sot.

Ismajl Ismajli nuk u bë luftëtar brenda natës. Ai ishte produkt i një brumi të pastër patriotik, një burrë që tërë ekzistencën e tij ia kushtoi çlirimit të trojeve arbërore. Për Ismajlin, robëria shekullore nën çizmen serbe ishte një plagë që nuk mund të shërohej me fjalë, por vetëm me rezistencë të paepur.

Ismajli në sytë e shokëve të idealit reflektonte një vendosmëri prej guri. Për të nuk kishte male të larta apo prita që nuk kaloheshin; çdo pengesë ishte vetëm një hap më afër qëllimit të madh: Kosovës së lirë dhe të pavarur.

Në odat e burrave Ismajli shpesh i paralajmëronte pushtuesit se kjo tokë nuk duron dot këmbë të huaj. Fjalët e tij ishin të prera si shpata: “Do të vijë dita kur okupatori serb do të largohet i mposhtur e i turpëruar nga trojet tona, sepse ky dhe i Kosovës nuk e duron nënshtrimin e gjakpirësve. Ata njohin vetëm flakën e barotit të popullit tonë!”

Ai ishte i vetëdijshëm se liria kishte një çmim të lartë, dhe ishte i gatshëm ta paguante atë me monedhën më të shtrenjtë – jetën e tij.

Në momentet e tij të fundit, atëherë kur fizikisht po ndahej nga kjo botë por po hynte në histori, Ismajl Ismajli la pas një porosi që dridhi radhët e armikut dhe frymëzoi breza të tërë:

“Unë sot po lindi për popullin tim, ndërsa ju do të vdisni përgjithmonë.” Sot, në vitin 2026, figura e Ismajl Ismajlit është kthyer në një institucion nderi. Lapidari i tij në qendër të fshatit Kopernicë qëndron si një roje e palëkundur, një dëshmitar i heshtur por i fuqishëm që tregon se si u ujit ky truall me gjakun e bijve më të mirë. Emri i tij sot ndrit në emërtimet e rrugëve, duke u bërë pjesë e identitetit tonë shtetëror.

Komuna e Kamenicës dhe mbarë Kosova sot krenohen që patën një djalë si Ismajli, i cili me shkronja gjaku shkroi kapitullin më të lavdishëm të lirisë.

You Might Also Like