Gjilan, 22 maj 2026
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Parandalim, në bashkëpunim me drejtorinë, stafin arsimor dhe nxënësit e Shkollës së Mesme të Arteve Pamore “Adem Kastrati” në Gjilan, kanë realizuar projektin me temë “Errësia – Drita”, me qëllim të ngritjes së vetëdijesimit tek të rinjtë lidhur me dukuritë negative në shoqëri, në veçanti përdorimin e substancave narkotike, si dhe promovimin e mendimit kritik dhe zgjedhjeve të shëndetshme përmes artit.
Me këtë rast Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Kolonel Agron Rukiqi, Drejtori i Policisë në Bashkësi dhe Parandalim, Major Ramadan Ahmeti, si dhe drejtori i Shkollës së Mesme të Arteve Pamore “Adem Kastrati” në Gjilan, z. Roland Masurica, mbajtën fjalë rasti para të pranishmëve, ku theksuan rëndësinë e parandalimit të përdorimit të substancave narkotike, veçanërisht tek të rinjtë, duke folur për rreziqet dhe pasojat që këto substanca sjellin për shëndetin dhe shoqërinë.
Nxënësit e kësaj shkolle, përmes punimeve të tyre artistike, kanë paraqitur në mënyrë kreative pasojat dhe rreziqet që sjell përdorimi i drogave, duke përcjellë mesazhe të qarta për rëndësinë e parandalimit të kësaj dukurie negative në shoqëri. Me këtë rast, tri nga punimet artistike të ekspozuara, të cilat u vlerësuan si më të mirat, u shpërblyen me mirënjohje dhe dhurata simbolike nga Policia e Kosovës.
Në përmbyllje të aktivitetit, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe institucioneve arsimore në parandalimin e dukurive negative që ndikojnë tek të rinjtë. Po ashtu, u vlerësua lart angazhimi, kreativiteti dhe mesazhet domethënëse të nxënësve, të cilët përmes artit të tyre kontribuuan në sensibilizimin e opinionit kundër përdorimit të substancave narkotike.





