OPINION

A u respektuan procedurat ligjore në bartjen e pronës për Parkun Industrial dhe Teknologjik në Gjilan

Shkruan: Bashkim Isufi

Në opinionin publik është paraqitur informacion lidhur me bartjen e një prone komunale të Gjilanit tek Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, me qëllim zhvillimin e Parkut Industrial dhe Teknologjik. Ky projekt paraqitet si një iniciativë me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik lokal dhe rajonal.

Në mungesë të një vendimi të publikuar të Kuvendit Komunal lidhur me disponimin e pronës komunale, lind nevoja për sqarim institucional mbi bazën juridike dhe procedurat e ndjekura në procesin e bartjes së saj. Në sistemin e vetëqeverisjes lokale, Kuvendi Komunal përbën organin kryesor vendimmarrës për çështjet që lidhen me pronën komunale dhe ushtrimin e kompetencave në nivel lokal.

Në këtë kontekst, sipas nenit 15 të Ligjit Nr. 08/L-125 për Pronën Publike, për bartjen e pronësisë së pronës publike të njësive të vetëqeverisjes lokale mbi sendet e paluajtshme vendos Kuvendi i Komunës në territorin e të cilit ndodhet prona, duke e kushtëzuar këtë proces me një vendim formal të organit përfaqësues të vetëqeverisjes lokale.

Sipas dokumenteve të planifikimit hapësinor në fuqi, prona e bartur nuk është e destinuar për Park Industrial dhe Teknologjik. Në këtë kuptim, realizimi i projektit kërkon verifikim të përputhshmërisë me planifikimin hapësinor dhe, nëse është e nevojshme, zhvillimin e procedurave për ndryshimin e destinimit të tokës në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Sipas nenit 11 të Ligjit Nr. 04/L-174 për Planifikimin Hapësinor, Autoriteti Përgjegjës Komunal për Planifikim dhe Menaxhim Hapësinor është përgjegjës për zhvillimin dhe menaxhimin hapësinor në nivel komunal, përmes hartimit dhe zbatimit të dokumenteve të planifikimit hapësinor.

Nga dispozitat e këtij ligji rezulton se Plani Zhvillimor Komunal dhe dokumentet zonale kanë karakter obligativ në përcaktimin e mënyrës së shfrytëzimit të tokës dhe zhvillimit territorial. Në këtë kuptim, çdo projekt me karakter industrial apo strategjik konsiderohet juridikisht i harmonizuar vetëm nëse është në përputhje me këto dokumente, ndërsa çdo mospërputhje kërkon procedura përkatëse planifikuese dhe ndryshimin e destinimit të tokës në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Në këtë kontekst, çështja nuk lidhet me kundërshtimin e zhvillimit ekonomik apo të investimeve strategjike, por me nevojën që çdo veprim institucional të mbështetet në një bazë të qartë ligjore, të ushtrohet brenda kompetencave përkatëse dhe të jetë në përputhje me dokumentet e planifikimit hapësinor në fuqi. Respektimi i procedurave ligjore dhe institucionale nuk paraqet pengesë për zhvillimin, por garanci për ligjshmërinë, legjitimitetin dhe qëndrueshmërinë e projekteve me interes publik.

Çdo ndërhyrje në pronën publike duhet të realizohet në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, kompetencat institucionale dhe dokumentet e planifikimit hapësinor komunal. Në këtë rast, paraqiten disa çështje që kërkojnë sqarim institucional dhe juridik:

A ekziston vendim formal i Kuvendit Komunal për bartjen e pronës në fjalë?

A është respektuar procedura ligjore për disponimin me pronën komunale? A është zona e përfshirë e paraparë në Planin Zhvillimor Komunal dhe dokumentet përkatëse të planifikimit hapësinor?

Nëse jo, a është zhvilluar procedura ligjore për ndryshimin e destinimit të tokës?

Në këtë kontekst, këto çështje përbëjnë elemente thelbësore për vlerësimin e ligjshmërisë dhe rregullsisë së procesit të bartjes së pronës komunale, si dhe për garantimin e transparencës dhe llogaridhënies institucionale.

Gjilani nuk mund të trajtohet jashtë rendit institucional dhe kompetencave të përcaktuara për organet e vetëqeverisjes lokale, veçanërisht për Kuvendin Komunal si organi më i lartë përfaqësues në nivel lokal.

Respektimi i kompetencave institucionale dhe kornizës ligjore përbën kusht themelor për ligjshmërinë dhe legjitimitetin e vendimmarrjes publike. Në mungesë të transparencës dhe dokumentacionit të plotë, mbetet e nevojshme verifikimi i përputhshmërisë së procesit me procedurat ligjore dhe kompetencat përkatëse.

You Might Also Like