HISTORI SUKSESI / NJOFTIM ZYRTAR NGA SHKOLLA JONË(Kosova nga Vitia)
Jemi jashtëzakonisht të lumtur, të nderuar dhe krenarë të ndajmë me të gjithë ju një nga arritjet më të mëdha të shkollës sonë që nga themelimi!
Pas një periudhe vëzhgimi dhe provash profesionale në Zvicër, futbollistët tanë janë përzgjedhur zyrtarisht që të shkojnë prapë në muajin Gusht dhe të qëndrojnë gjatë gjithë sezonës në klubin e njohur zviceran SR Delémont.
Bëhet fjalë për:
Albin Sejdiu (19 vjeç): Futbollist i cili ka qenë pjesë e shkollës sonë, dhe disa klubeve si FC Dinamo (Ferizaj), FC Ferizaj, Ramiz Sadiku (Prishtinë) dhe KF Vllaznia (Pozheran), përpara se të kalonte te SC Gjilani (U-21). Ky rrugëtim dhe përzgjedhja e tij u realizua nën menaxhimin dhe organizimin direkt nga shkolla jonë.
Olt Ademi (17 vjeç) & Dior Hajrullahu (17 vjeç): Lojtarë të shkollës sonë që 7 vite, praktikisht që nga dita e parë e themelimit. Ata janë dëshmia e punës sonë afatgjatë dhe profesionale!
Të tre lojtarët tashmë kanë filluar procedurat e rregullimit të dokumentacionit për leje-qëndrim prej sezonit të ardhshëm.
Si rrodhi ngjarja?
Në muajin shkurt, tre zviceranë – një i autorizuar nga Federata Zvicerane e Futbollit dhe dy menaxherë futbolli – qëndruan në Kosovë ku përcollën live dy ndeshje kampionale të shkollës sonë. Pas vlerësimeve, ata i përzgjodhën djemtë tanë për teste.
Nga data 19 deri më 22 maj, ata stërvitën dhe zhvilluan ndeshje testuese në rrethin e Solothurn, Neuchâtel dhe Biel/Bienne në kuadër të Qendrës Stërvitore JURA. Paraqitjet e tyre ishin të shkëlqyera dhe u vlerësuan maksimalisht nga ekspertët e pranishëm!
Klubi- SR Delémont, është emri më i madh në të gjithë kantonin e Juras. Ata garojnë në Promotion League (liga e tretë më e fortë në Zvicër, menjëherë pas Challenge League dhe Superligës). Është një ligë jashtëzakonisht serioze dhe profesionale ku luajnë edhe ekipet U-21 të klubeve të mëdha si Zurich, Basel, Young Boys apo Lugano.
Falënderim i përzemërt
Shkolla jonë falënderon publikisht dhe përzemërsisht bashkatdhetarët tanë, Feti Sadiku dhe Skender Fuga. Ata ishin ura lidhëse që realizuan këtë bashkëpunim kaq të rëndësishëm dhe u kujdesën në mënyrë të jashtëzakonshme për lojtarët tanë gjatë qëndrimit atje.
Gjithashtu, falënderojmë prindërit për besimin dhe të gjithë ata që na kanë përkrahur në çdo hap.
Qëllimet tona po realizohen!
Ky sukses është një dëshmi e gjallë e punës sonë dhe një motiv shtesë. Shkolla e Futbollit Kosova-Viti, do të vazhdojë bashkëpunimin me këta zyrtar të federatës së futbollit zvicerran dhe menagjer për t’iu hapur rrugën edhe shumë talenteve të tjerë.
Shpresojmë që fatin e Albinit,Oltit dhe Diorit ta kenë dhe lojtarët e tjerë të shkollës sonë dhe të bëhen pjesë e ekipeve profesionale evropiane.
Na priftë e mbara dhe suksese djemve tanë në Zvicër! ⚽💪





