Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Gjilan kujton dhe nderon veprën heroike të Adem Jasharit dhe familjes Jashari nga Prekazi i Drenicës për lirinë Kosovës. Njëzetë vite më parë, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, në luftë për lirinë e Kosovës nga robëria shekullore serbe ra heroikisht Adem e Hamëz Jashari me babanë e tyre Shabanin dhe 20 anëtarët e familjes Jashari.
Epopeja heroike e Adem Jasharit me familjen e tij dhe lagjen Jashari në Prekaz bënë kthesë të madhe në historinë e Kosovës. Adem Jashari lindi më 28 nëntor 1955 në Prekaz të komunës së Skenderaj. Më 1990 mori pjesë në grupin e parë të shqiptarëve të Kosovës që shkuan në Shqipëri për tu stërvitur nga ushtria shqiptare. Në dhjetor të vitit 1990 sulmohet për herë të parë familja Jashari nga forcat serbe por detyrohen të zmbrapsen.
Më 27 nëntor 1997, në Vojnik të Skenderaj njësiti i Adem Jasharit sulmon forcat policore serbe. Më 28 nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci shfaqet për publikun Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Më 22 janar 1998, rrethohet për herë të dytë nga forcat serbe familja Jashari. Në shkurt të vitit 1998, tek vendi i quajtur “Gjashtë lisat” në mes të Likoshanit dhe Qirezit sulmohen forcat policore nga njësiti i UÇK – së të udhëhequr nga Adem Jashari. Më 28 shkurt 1998, policia serbe në shenj hakmarrje për humbjet që u shkaktoi UÇK – ja vranë dhe masakruan 24 veta nga fshati Likoshan e Qirez, me ç’rast edhe fillon lufta në Kosovë.
Më 5, 6 dhe 7 mars 1998, për herë të tretë nga forcat serbe rrethohet familja Jashari. Më 5, 6 dhe 7 mars 1998, Adem Jashari me 21 anëtarët e familjes për tri ditë rresht u bënë rezistencë forcave serbe. Në shenjë solidariteti me rezistencën e familjes së Adem Jasharit iu bashkëngjiten edhe lagjja Jashari e Prekazit. Në këtë betejë të pa barabartë ndërmjet forcave serbe dhe familjes Jashari mbetën të vrarë 20 anëtarë të familjes Jashari dhe 34 anëtarë të lagjes Jashari nga Prekazi. Nga familja Jashari mbeti gjallë vetëm vajza e Hamëz Jasharit, Besarta.
Rënia heroike e Adem Jasharit me familjen e tij, ishte akt heroik dhe i padëgjuar në botë. Adem Jashari u bë simbol dhe frymëzim i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Madje për nderë të veprës së tij heroike Adem Jashari merr epitetin e Komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ushtri vazhdoi rrugën deri në çlirimin e Kosovës, më 12 qershor 1999.
Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” – dega në Gjilan