Gjilan, 29 dhjetor 2022
Jurie letrare për përzgjedhjen e veprave më të mira të botuara gjatë vitit 2022 nga anëtarët e Ars Clubit “Beqir Musliu”, në përbërje: Nexhat Rexha, Sadete Tërnava – Osmani e Sherafedin Kadriu, pas leximit të veprave letrare të botuara gjatë këtij viti nga anëtarët e këtij asociacioni alternative shkrimtarësh me seli në Gjilan, si dhe konsultimeve e shqyrtimeve gjatë takimeve tona të punës, vendosi t’i shpall këto vepra, si më të mirat për vitin 2022:
në fushën e poezisë,
vepër më të mirë shpall përmbledhjen poetike, TROKITJE TË PRUSHTA, të shkrimtares Albina Idrizi, e cila përveç se dëshmon pjekurinë krijuese të kësaj autoreje, shënon ngritje të mëtejme në planin artistik si dhe një kërkim më të thelluar në botën e artit letrar përmes prurjeve të reja poetike.
në fushën e prozës,
vepër më të mirë shpall përmbledhjen me tregime, NJË EMËR NGA LETËRNJOFTIMI, të shkrimtarit Muhamet Halili, i cili, një kohë të përafërt me trauma, luftë e flijime , e vështron dhe shtjellon nga rrafshi letrar,me një mjeshtri artistike duke i dhënë rrëfimit jo vetëm dramacitet po edhe një figurshmëri poetike që e përafron edhe më shumë me lexuesin.
në fushën e kritikës letrare,
veprën me studime e kritika letrare, me titull SHOSHITJE LETRARE të shkrimtarit Shefqet Dibrani, e cila veçohet si për mënyrën e zgjedhjes, shtjellimit të materies letrare , gjithashtu edhe për përkushtimin vlerësues e profesional .
Juria shpreh konsideratë edhe ndaj gjithë veprave tjera të anëtarëve të këtij asociacioni, po dhe përgëzon poetët e rinjë, Hevzi Mustafa, Alisa Bekteshi e Eljesa Halimi, që gjatë këtij viti botuan veprat e tyre të para.
Juria letrare :
Sadete Tërnava – Osmani/ Nexhat Rexha/ Sherafedin Kadriu