Libri

ATY KU RREZJA E PARË E MËNGJESIT PUTHË TOKËN …

Sabit Rrustemi
ATY KU RREZJA E PARË E MËNGJESIT PUTHË TOKËN …
( Varianti final )
Si u përpushe e u shkunde rrënjësh
veten e nxore sheshit
e mbete pa një trohë dhe
Të kishe mbetur brenda meje
vetëm Ëndërr
edhe symbyllaz do të gjeja
ku ishe e ku s’ishe
… dhe përtej Jetës do të prisja
Kështu si u shfaqe n’publik
ti nuk je më Ajo që njoha
Sa përmallesha për t’parë
dhe njëherë të vetme
lëre më për të prekur
apo për ta kërkuar brenda teje
botën time të munguar
Të të kthej më
n’atë pjesë të fshehur të ëndrrës
nuk mundem
Po t’ishe fshehur dhe diku tjetër
shtatë palë qiejsh lëmsh do t’i bëja
derisa të të gjeja
e nëpër shtatë palë shtresa toke
do të gërmoja
për të ta dëgjuar sall edhe njëherë
atë puls zemre
që rrihte për mua
Po
nuk je Ti
As unë Akili nuk jam
me një pikë të dobët në thembër
moj
Pa një Ëndërr jete
që pulsonte n’atë pjesë të fshehur të zemrës
mbeta
e ëndërr të re nuk mund të nis më
Një shpirt të etur kohësh
aty ku rrezja e parë e diellit puthë tokën
do ta lë
( 1 mars 2015 – 1 mars 2024 )

You Might Also Like