Blerta Shala, futbolliste nga Gjilani, por që tash e sa kohë luan tek Mitrovica vazhdon të shkëlqejë në futbollin femëror tek ne.
Me një karrierë të pasur, fillimisht si lojtare e Intelektualeve, më pas shpërtheu si kampione me Hajvalinë, kurse ajo ishte pjesë edhe e kombëtares Kuq e Zi, mirëpo me pranimin e futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare, ajo pa asnjë hezitim vendosi të luajë për vendin e saj – Kosovën.
Shkëlqimin e saj ajo e pati me ekipin e Mitrovicës, duke u shpallur me këtë ekip shtatë herë kampione dhe shtatë herë fituese e Kupës dhe në ndërkohë ishte shpallur edhe futbollistja më e mirë në Kosovë, sikurse që disa herë ishte edhe laureate në shpalljen e më të mirëve në Gjilan.
Mirëpo, sikur të mos mjaftonin gjithë këto të arritura dhe forma fenomenale e saj, ngase Blerta, kjo futbolliste e shkëlqyer padrejtësisht nuk ishte grumbulluar me përfaqësuesen e Kosovës.
Një gjë e tillë nuk e demoralizoi atë, por përkundrazi ajo vetëm sa ka shtuar vullnetin për të luajtur edhe më shumë dhe për të dhënë maksimumin në fushën e blertë.

Dëshmi më e mirë për këtë formë ishte ndeshja e Mitrovicës ndaj Dukagjinit, të cilin mitrovicaset e fituan me rezultat 4:0, kurse Blerta Shala me mjeshtëri ka shënuar nga gjuajtja nga këndi, gjë për të cilën do t’i kishin lakmi edhe shumë futbollistë të njohur.
Blerta Shala ka për t’i dhënë ende futbollit kosovar, ajo kurrë nuk ndalet, por gjithnjë synon majat e mbase këtë e ka dëshmuar tash e sa vite./kryelajmi.com/.




