Nën drejtimin e ushtruesit të selektorit të Kombëtares së Kosovës, Musli Zymberi e trajnerëve Afrim Majanci e Burhan Xhafa, boksierët më të mirë të Kosovës, po kryejnë përgatitjet e tyre për tu bërë gati për Kampionatin Ballkanik që do të mbahet nga 25 shtatori në Albena të Bullgarisë. Në qytetin e Gjilanit, boksierët po stërvitin nga dy herë në ditë, për të qenë në formën më të mirë të tyre. “Është dita e dytë e stërvitjeve dhe jam shumë i kënaqur me performancën e boksierëve. Tani është vetëm fillimi, ushtrimet janë tejet intensive nga dy herë në ditë – paradite zakonisht kemi ushtrimet kondicionale, ndërsa pasdite kemi ushtrimet taktike në Palestër. Të gjithë boksierët janë duke e dhënë kontributin e tyre që të jenë sa më të përgatitur për Kampionatin Ballkanik, disiplina është në nivel të lartë dhe çdo boksier po i përfundon detyrat ashtu sipas plan-programit tonë”, ka theksuar ushtruesi i detyrës së Selektorit, Musli Zymberi. Me përgatitjet e boksierëve janë të kënaqur edhe dy trajnerët, Afrim Majanci e Burhan Xhafa, të cilët presin që në Kampionatin Ballkanik sukseset mos të mungojnë. “Është kënaqësi të punosh me këta djelmosha. Jemi të kënaqur me interesimin e tyre për tu përgatitur sa më mirë, kur dihet se në Kampionatin Ballkanik ka boksierë shumë cilësorë, por edhe ne kemi adutët tanë. Urojmë që gjithçka të shkojë sipas plan-programit tonë”, kanë bërë të ditur dy trajnerët Majanci e Xhafa. Boksierët të cilët priten të udhëtojnë drejt Albena të Bullgarisë me 25 shtator janë: Bashkim Bajoku, Lorent Murati, Loris Idrizi, Shpëtim Bajoku, Patriot Behrami dhe Taulant Jakupi.