KULTURA, LAJME

Bukuritë e natyrës që ofron Gjilani

Kalaja në fshatin Pogragjë dhe lumi Llapusha që rrjedh skaj saj, tumat ilire në fshatin Llashticë, Shpella e Resulës dhe ajo e Bresalcit, Liqeni i Përlepnicës apo edhe Guri i Shpuem që gjendet shumë afër tij, por edhe ujërat minerale në fshatrat Nasalë e Miresh, hane e mullinj janë vetëm disa nga bukuritë e Gjilanit.

Dikur, qytet që kishte marrë pamjen e një qyteti oriental, Gjilani karakterizohej me dendësi të shtëpive, oborre të rrethuara dhe me dyqane të vogla dhe të shpeshta. Ato ishin të vendosura kryesisht rreth Xhamisë së Madhe. Rrugët e qytetit ishin të ngushta, jo të drejta e të shtruara me kalldrëm, kurse objektet më karakteristike të qytetit ishin xhamitë, shatërvani, hamami, teqetë, tyrbet, sahat-kulla e çezmat publike. Shumica e këtyre objekteve më nuk ekzistojnë. Ato u rrëzuan nga pushtet e mëhershme, apo edhe i shkatërroi dhëmbi i kohës, por megjithatë edhe kjo trevë i ka “mrekullitë” e veta, të cilat mund t’i joshin vizitorët.

Kalaja në fshatin Pogragjë dhe lumi Llapusha që rrjedh skaj saj, tumat ilire në fshatin Llashticë, Shpella e Resulës dhe ajo e Bresalcit, Liqeni i Përlepnicës apo edhe Guri i Shpuem që gjendet shumë afër tij, por edhe ujërat minerale në fshatrat Nasalë e Miresh, hane e mullinj janë vetëm disa nga bukuritë e kësaj treve.

Kalaja e Pogragjës dhe tumat ilire dëshmi për jetën në lashtësi

 E llogaritur si objekt që ka lashtësi mbi 1500 vite, Kalaja e Pogragjës mbetet një nga destinacionet më të pëlqyera për vizitorët. Ndërtimi i urës mbi lumin Morava e Binçës dhe hapja e rrugës deri te kalaja që gjendet në maje të një kodrine e kanë bërë qasjen me të lehtë për vizitorët. Rinovimet dhe largimi i bimësisë të bëra në këtë kala, nxorën në dritë dy varreza shumë të vjetra me pllaka gurore përkushtimi të shkruara në gjuhën latine, sikurse që aty u gjetën edhe monedha të kohës dhe eksponate të ndryshme. Hulumtimet e mëtejme do të vërtetonin edhe ekzistimin e daljeve nëntokësore që qonin deri te lumi, mure e korridore. Kjo mrekulli e Gjilanit, ka Pirgun e Klasë, që  ka formën e një katërkëndëshi, me gjatësi prej 13 metra, muret e ndërtuara me gurë dhe që besohet se nga kjo kala shihej edhe kalaja e Artanës, me të cilën besohet se komunikonin këto dy kala.

Se jeta në antikitet ka qenë e zhvilluar në këtë trevë, dëshmojnë edhe tumat ilire në Llashticë, të cilat sipas studiuesve i takojnë epokës së hekurit, por që riti i varrimit në tuma qe shfaqur për herë të parë në epokën e bronzit, ndërsa në epokën në vazhdim, në atë të hekurit, numri i varrezave të tilla është shumë i madh. Tumat ilire të Llashticës janë zakonisht disa kodra të vogla në rrafshina, të përbëra nga gurë e njëra prej tyre që nuk është hulumtuar ka një sipërfaqe prej 800 metra katrorë.

Anamorava vend i ujërave termalë

Shpella e Resulës, në Malet e Karadakut, paraqet një vend tjetër tërheqës për ata që dëshirojnë të vizitojnë rrethin e Gjilanit. Legjenda thotë se  kjo shpellë daljen e ka në rrethin e Kumanovës. Një shpellë tjetër së voni u zbulua edhe në fshatin Bresalc, por që nuk është bërë hulumtim në të, kurse korridoret e saja besohet se do të ishin të depërtueshme, sikurse ato të Shpellës së Mermertë në Gadime.

Edhe burimet e ujit, siç është burimi në fshatin Pidiq, pastaj rrjedha e lumit Llapusha, uji i të cilit është i çiltër dhe lirisht mund të pihet, Liqeni i Përlepnicës dhe Guri i Shpuem, paraqesin bukuri në vete, bashkë me ujërat e njohura minerale në këtë anë, sidomos në fshatrat Nasalë e Miresh. Skaj këtyre lumenjve, dikur funksionin shumë mullinj, që ishin shumë të përhapur në komunën e Gjilanit. Kishte fshat me dy-tre mullinj, siç ishte Përlepnica e Cernica e ndonjë edhe më tepër, si Vërbica e Zhegocit që kishte 7 mullinj. Mullinjtë në Pidiç, Miresh, Livoç i Epërm dhe Verbicë e Zhegocit janë ndër të rrallët që punojnë edhe sot, duke ruajtur traditën e dikurshme të bluarjes. Edhe qyteti i Gjilanit i kishte dikur mullinjtë e tij, por që sot nuk ekzistojnë më.

Hanet, çezmat e shumta, hambarët, koshet e plevicat, por edhe objektet e kultit, janë gjithashtu objekte që kënaqin syrin e vizitorit, që dëshiron të dijë më shumë për të kaluarën e Gjilanit, qytet që ka mrekullitë e tija natyrore, por të cilat duhet promovuar.

You Might Also Like