Për dy ditë gjatë fundjavës, janë mbyllur edhe garat e kategorisë së seniorëve në Beach Volley.
Pas së shtunës, e cila ishte e dedikuar për ndeshjet preliminare, të dielën aksioni ka vazhduar me ndeshjet interesante të fazës finale.
Finalet e të dyja konkurencave, sollën ndeshje interesante dhe volejboll cilësor.
Në një ambient të bukur në Holiday Resort, ky organizim dhe cilësia u shfaq edhe përmes Radiotelevizionit të Kosovës, për të gjithë adhuruesit që nuk e patën këtë mundësi ta ndiqnin nga ky ambient.
Finalet nga afër i përcolli edhe presidenti i Komitetit Olimlik të Kosovës, Ismet Krasniqi, i cili shoqërohej nga presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK) Bahri Gjinovci, sekretari i përgjithshëm Valon Nikqi dhe personalitete tjera, që i dhanë madhështi kësaj gare.
Te djemtë çifti Ermal Maliqi/Erion Bajrami e fitoi finalen, ndaj dyshes Shkëlqim Ismajli/Valmir Demi.
Vendin e tretë te djemtë e zuri dyshja Adriatik Berisha/Rilind Gashi.
Në konkurencën e vajzave, vendi i parë i takoi Valmira Ramadanit e Lorisa Avdylit, që në finale ishin më të mira sesa çifti ferizajas Melirona Avdullahu e Yllka Jashari.
Vendin e tretë te vajzat e zuri dyshja Adelajda Prenga/Amela Llugaliu.
Kjo ishte gara e katërt dhe e fundit në serinë e kampionateve të Kosovës, të organizuara nga FVK-ja, pas garave në grupmoshat U18, U20 dhe U22.
Medaljet dhe trofeun fituesve ua ndau presidenti i FVK-së Bahri Gjinovci, i shoqëruar nga presidenti i KOK-ut Ismet Krasniqi, si dhe sekretari i përgjithshëm i FVK-së Valon Nikqi.