Libri

DHE NË IKËSH VETËM PËR NJË ÇAST

DHE NË IKËSH VETËM PËR NJË ÇAST

( Cikël poezish nga libri në proces botimi )

QYTETI PA TY

Ç’ka ky qytet që heshtë sot
Thua ndonjë hero i madh vdiç
Më bëri për vete heshtja e tij
Meqë ti s’je të më thuash diç

Ç’është kjo pamje kaq e vrugët
Mbi parqet që sot paska rënë
Mos ndoshta si rrallëherë
Eklipsi errësirë ka vënë…

Qyteti është ashtu si dje ish
Më i gjallëruar përkundrazi
Veq pamjen për mua ndryshe ka
Kur rrugëve s’endemi ne të dy

DRITORJA

Sa net jam kërrusur supit tënd
Sa shqetësime mi ke parë ti
Mllefet ofshamat me ty kam ndarë
Madje dhe të rrallat nostalgji

E krahët e mi i ke mbajtur
Gjersa menduar duhan kam pirë
Shumëçka, shumëçka ndër vite
Mendjes për ty më ka mbirë

Kujtoja shpesh dhe ditët plot gaz
E dëshira nëpër yje shtrija
Ndonjëherë të jam dukur i marrë
Kur më shumë me ty ditënetëve rrija
NËSE NDONJË NATË

Nëse ndonjë nate të lodhur krejt pahirë
Mos të shfaqesh ti afshit tim
Mëngjesit s’përton të del thellësisë sime
Vështrimi yt i mprehur pa përtim

Që dita të zbardhë si kristal krejt
Të ikësh s’të lë kurrsesi
Dhe në ikësh vetëm për një çast
Si me refleks kthehesh përsëri

MENDIM I FTOHTË

I ftohtë është mendimi
Kur shprushet malli
Që rrjedh nga floku, nga syri yt
Projeksion të ngrirë dimri i ke vënë
Fjalës së ngelur në fyt.

Veç sirtarët e kujtesës
Nuk janë pluhrosur
Nëpër to orë e çast rëndohesh e rri
Nga jashtë murin e pathyeshëm e le
Ashtu siç vetë deshe ti
SHKUNDJA E ËNDRRAVE

Kur dashuria të të ketë pushtuar
Sikur dimër alpesh zemërak,
Nëpër botë do jesh duke rënkuar
ç’u ngri në jetë kështu pak nga pak.

Ulesh skaj rrugës ”Republika”
Më e ftohtë se dimri menduar rri,
Thua jeta sa paska dallgë
Dhe në të sa pak kaltri.

Pastaj ecë në të gurtin kalldërm
Dhe sheh si era një vidh përkund,
Mos vallë dhe jeta ikë si në jerm
Me gjethe vjeshte ëndrrat i shkund.

KUR NATA BJEN

Kur nata bie qetësia bëhet mbret
Portat e hekurta mbyllen si zakonisht.
Ti futesh ngadalë dhe lehtas zbret
Në timen kujtesë si përnatshëm, tinëzisht.

PËRVEÇ SHIKIMIT

Nga retë që sollën shiun rrebesh
Prej rrugës t’gjithë ikën nënstrehëve
Por s’iku heshtja që rri mes nesh.

Qyteti s’pati gjallëri
Vetëm zhurmë shiu dhe trafik,
Ne ngrimë në mes stinëve
Sikur monument antik

Përveç shikimit që hodhe
Drejt meje mjeshtërisht

KRONIKË QË S’PO IKËN

Nuk e di kush ia theu udhën
Mbretërisë sate që erdhi e më pushtoi
As e di si t’i gurëzoj dremitjet
Turr e vrap që më sjellin aty
Ku mrizojnë hapsitë tona të mëdha

Anise na duket kohë e sertë
Nuk do të thotë se nuk duhet të duhemi
As duam ta flakim natën papërmbajtshëm
Edhe nëse shpeshherë na bën të zhytemi
Thellë në mjegulli mendimesh

A nuk po e sheh mike e dashur
Se koha na shikon si ujk i uritur
E bëmë e saj
Mes nesh dëshirojnë të hyjnë
Për ta ngulfatur këtë zjarr
Deri në shkëndinë e mbramë

Mbretëria jote që erdhi e më pushtoi
Një botë tjetër në mua zgjoi

PRANË KAFENESË SË TEATRIT

Pranë kafenesë së Teatrit
Shumëçka ndryshuar prej kohësh kish
Veq pamja ime për ty s’ka ndryshuar
Njëjtë dhe sytë e tu

E njëjtë kishe mbetur
në qytetin e mbuluar nga modë e re

You Might Also Like