OPINION

Diellin nuk mund ta shoh ai, i cili sytë i ka të lënduar!

Mesazhi i Hutbës së Xhumasë:

Diellin nuk mund ta shoh ai, i cili sytë i ka të lënduar!

Shumë prej injorantëve, prej atyre që nuk kanë njohuri as elementare për Islamin, i veshin Islamit terrorizmin, vrazhdësinë dhe mos tolerancën. Në të kaluarën është thënë se “njeriu është armik i asaj që nuk ka njohuri për të”. Realiteti është se mes Islamit dhe terrorizmit ka një dallim esencial. Këto janë dy të kundërta që asnjëherë nuk mund të bashkohen. Islami është mëshirë, ndërsa terrorizmi është dënim. Islami është drejtësi, ndërsa terrorizmi është zullum. Islami është dije ndërsa terrorizmi është injorancë. Islami është dashuri, ndërsa terrorizmi është urrejtje dhe detyrim.

Islami me kuptimin e sajë të gjerë është paqe. Ky emër është nxjerr prej emrit të Allahut “ES-SELAMU” ( Paqe dhënës ). Po ashtu fjala paqe është edhe prej cilësive të Allahut. Allahu thotë në Kuran: “Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim). Ai është Sunduesi, i Shenjti (i pastër nga çdo e metë), Paqe dhënësi ( Hashr 23). Fjala paqe me kuptimet e sajë në Kuran është cekur katër dhjetë e katër here, prej tyre gjashtë ajete medinase ndërsa të tjerat mekase. Ndërsa fjala luftë në Kuran është përendur vetëm në gjashtë ajete, të gjitha medinase . I Dërguari i Allahut zgjidhte emrat e mirë për ata që lindshin dhe nuk i pëlqente që emrat fëmijëve t’iu lihen luftëtarë. Tregon Aliu thotë kur më lindi djali i parë e quajta “ Harb” ( luftëtarë). Atëherë i Dërguari më pyeti se si e quajte djalin? I thash “ Harb”, më tha ai është Haseni ( I mirë). Po ashtu edhe kur më lindën dy fëmijë tjerë, prapë i quajta “ Harb”,

prapë i Dërguari i Allahut ua ndërroi emrat në Husejn, ndërsa tjetrit Muhassin , që kanë kuptimin e të mirës.

Prej fjalës Selam ( paqe) e marrin emrin edhe myslimanët dhe quhen mysliman. Selami është përshëndetja e besimtarëve kur takohen mes veti dhe kur ndahen nga njëri tjetri. Zgjedhja e kësaj përshëndetje për besimtarin është një mesazh i fuqishëm dhe tregon se besimtari synon që në këtë botë të ketë paqe.

Xheneti është vend i paqes dhe besimtarët në të do të përshëndeten me Selam, paqe. Allahu thotë: Allahu i thërret njerëzit për në Shtëpinë e shpëtimit (Xhenet) dhe udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë ( Junus 25). Përveç që banorët e xhenetit do të përshëndeten mes veti me Selam në xhenet, edhe melaqet do ti përshëndesin banorët e xhenetit me Selam.

Islami është shpëtimi dhe paqja për njerëzimin. Sepse ai synon të siguroj lumturi, rehati dhe qetësi në gjithë njerëzimin. I Dërguari i Allahut tha: “ O njerëz, përhapeni Selamin mes jush”. Selami është qëllimi kryesor i Islamit. Përmes drejtësisë, përmes barazisë , përmes lirisë, duke kundërshtuar egot e njerëzve dhe epshet e tyre, duke mos synuar vetëm një popull të caktuar, apo një grup të caktuar, Islami synon paqen.

Islami synon paqen përmes barazisë mes njerëzve. Islami vërteton se njerëzit, pa marr parasysh, besimin e tyre, ngjyrën e tyre, gjuhën e tyre, të gjithë kanë një origjinë dhe janë vëllezër nga aspekti njerëzorë. I Dërguari i Allahut tha: “ Të gjithë njerëzit janë prej Ademit, ndërsa ai është prej dheut. Nuk ka dallim mes arabit dhe jo arabit, përveçse me devotshmëri”.

Islami synon të arrij paqen përmes përmbushjeve të premtimit dhe ndalimin e padrejtësisë. Dhe zgjedhja e luftës si opsion është vetëm në momentet e detyrueshme. Allahu thotë: “O

besimtarë! Plotësoni detyrimet!” ( Maide 1). Vendosja e drejtësisë, korrektësia ndaj njerëzve, largimin e padrejtësisë, eliminimin e armiqësisë mes njëri tjetrit janë synime të Islamit. Terrorizmi i cili sot po përhapet në botë dhe është bërë një shqetësim serioz në botë nuk ka identitet, e as përkatësi, por ai është një prodhim i devijuar dhe çoroditës. Historia islame është e pastër sikur dielli në mes të ditës . Islami përfshiu lindjen dhe perëndimin në përhapjen e sajë dhe kjo u bë në formën më të mirë, përmes argumenteve dhe debateve të mira, përmes bindjes së njerëzve.

Nuk ka fe që kujdeset për përhapjen e paqes në njerëz më shumë se sa Islami. I Dërguari i Allahut për 23 vite arriti që të mbjellë dhe të vendos në zemrat e besimtarëve dashurinë për paqe. Vetëm për 23 vite ai arriti që të ndryshoj tërë historinë e njerëzimit. Me promovimin e paqes arriti ti mposhtë edhe dy superfuqitë më të mëdha në atë kohë, perandorinë romake dhe atë persiane. Dhe e tërë kjo ndodhi në një kohë shumë të shkurt dhe me shpenzimet minimale. Para kohës së pejgamberit luftërat zgjatnin me muaj dhe me vite, ndërsa i Dërguari i Allahut i shndërroi në beteja të shkurtra. Betejat në të cilat i Dërguari i Allahut ka zhvilluar janë 27. Të gjithë ata që kanë vdekur në këto beteja prej myslimanëve kanë arritur numrin në 259. Ndërsa nga kundërshtarët ka arrit numri në 759. Krejt ata që kanë vdekur në betejat që ka zhvilluar i Dërguari i Allahut, prej ushtrisë së tij dhe kundërshtarëve të tij arrin në 1018, që i bie se në çdo betejë nga 12 të mbytur. Në të gjitha këto beteja vetëm një grua ka vdekur. Asnjë i vdekur nuk ka qenë prej fëmijëve dhe të moshuarve. I Dërguari i Allahut i porosite shokët e tij duke iu thënë: “ mos mbytni fëmijë, as grua, as të shtyrë në moshë, as të sëmurë, as ata që i gjeni në adhurimin e tyre. Mos

shkulni pemë, mos shkatërroni shtëpia, mos therni kafshë, përveç nëse keni nevojë për ushqim”. Kjo ishte tradita e Pejgamberit edhe në momente lufte. Nuk ishin sikur luftërat tjera që ndodhin në botë, të cilët kundërshtarin dëshirojnë ta shfarosin me çdo gjë. Në një luftë që ka ndodhë mes romakëve dhe persianëve që ka zgjat prej vitit 602-628 janë mbytë dy milionë njerëz. Lufta në Kinë e cila ka ndodhë afërsisht në kohën 734-755 kanë vdekur dymbëdhjetë milion viktima. Në revolucionin francezë, i cili ndodhi vetëm për shkaqe sociale dhe politike, që ndodhi mes vitit 1789-1799, mori jetën e më shumë se dy milion njerëz. Po ashtu revolucioni bolshevik në rusi mori jetën e më shumë se 13 milion njerëzve. Ndërsa i Dërguari i Allahut ndryshoi historinë e njerëzimit me pak beteja dhe me një numër shumë të vogël të viktimave në këto beteja, në 1018. Po ashtu të gjitha këto beteja që i kishte zhvilluar i Dërguari i Allahut kishin karakterin e luftërave defensive, luftë mbrojtëse. E tërë jeta e Pejgamberit, sikur gjatë qëndrimit në Meke, po ashtu edhe pas shpërnguljes së tij në Medine ishte paqe, mëshirë, tolerancë, shtypje e forcës së pa drejt.

Dije o mysliman se promovimi i paqes nuk do të thotë dobësi e as nënçmim. Sepse myslimani asnjëherë nuk poshtërohet: “Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju, gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë” ( Ali Imran 139). Islamofobët dhe ata që kanë urrejtje ndaj Islamit nuk po din si të veprojnë në raport me Islamin. Goja e tyre nuk mund të nxjerrë fjalë për të mirat e Islamit, sepse urrejtja që e fshehin në zemrat e tyre nuk ia lejon që të flasin për të mirat e Islamit. Ndërsa në anën tjetër sa më shumë që po e sulmojnë Islamin, ai edhe më shumë po merr hovë dhe po përhapet edhe më shumë. Sikur myslimanët të qëndronin edhe njëqind vite në Zelandën e Re dhe

të vepronin në të, nuk do ta kishin këtë respekt dhe këtë solidaritet që sot pas këtij sulmi po e gëzojnë myslimanët nga vendasit e tyre jo mysliman. Qindra njerëz nga Zelanda e Re kanë pranuar Islamin pas këtij sulmi terrorist ndaj myslimanëve.

Terroi që ndodhi në Zelandën e Re ndaj dy xhamive ku ishin duke u falur komuniteti mysliman e vë botën në një provim të madh, dhe tregon se Islami me pasuesit e tij është viktima më e madhe e këtij ekstremizmi dhe tregon se ekstremizmi dhe terrorizmi do të jetë një sfidë e madhe për botën. Raste të tilla dhe shumë më të rënda sot po ndodhin shpesh ndaj myslimanëve, gjenocide të pastra, si në Burma dhe në vendet tjera. Ajo që ndodhi është një veprim frikacak dhe i ultë. Kjo ngjarje ka prek thellë zemrat e besimtarëve, por edhe të njerëzve tjerë që kanë ndjenja në shpirtrat e tyre. Lusim Allahun që ti mëshiroj viktimat e këtij terrori, ti pranoj në radhët e shehidëve, t’iu jap sabër dhe gajret familjarëve, ndërsa të plagosurit ti shëroj sa më shpejt.

Autor:Hoxhë Shaban MURATI

22 mars 2019

Gjilan.

You Might Also Like