Me keqardhje të plotë dhe me një dëshprim të madh, sapo kuptuam vendimin që Drita në basketboll nuk do të luaj në Superligë gjatë sezonit të ri!
Përkundër që Drita e arriti me meritë sportive plasmanin në elitën e basketbollit, vetëm si pasojë e mungesës së një palestre sportive në qytet nuk mund të jetë pjesë e Superligës.
Një momentum i vështirë për klubin e basketit Drita, për të gjithë ata djelmosha që sakrifikuan gjithçka nga vetja, për të gjithë stafin e klubit. Duket sikur e gjithë puna dhe angazhimi shkuan huq. Vërtetë bashkëndjejmë keqardhjen dhe mërzinë!
Periudhë e vështirë për Dritën në basket, por edhe më e vështirë për ne si tifozëri. Pa palestër sportive, pa patur mundësinë e performancave në Superligën e Basketit, por çka është akoma më keq edhe mungesa e stadiumit.
Po bëhen 8 vite që Drita në futboll luan në arenën europiane. Vit pas viti, verë pas vere, obligohemi të udhëtojmë jashtë Gilanit për t’a përkrahur klubin tonë të zemrës, në të gjitha ndeshjet kur duhej të ishim vendas. Kemi arritur në një limit në çdo aspekt, pasi 8 vite rresht janë vërtetë shumë!
Është malltretim i madh kjo që po ndodh. Edhe ne e meritojmë një stadium tonë, një shtëpi për t’i shijuar në qytetin tonë këto momente të njëpasnjëshme historike. Ashtu sikur pothuajse të gjitha grupimet e tjera të rajonit, që e kanë këtë mundësi prej dekadash!
Projekti për renovimin dhe përfundimin e stadiumit ka nisur që nga viti 2017, pra gati 10 vite. Akoma asgjë konkrete. Vetëm punë të lëna përgjysmë, tendera të anuluar dhe një mos profesionalizëm total ku secili kërkon shfajsimin por jo zgjidhjen …
Politika po përqan, po largon, po pamundëson, pa dhimbje fare në këtë
qytet, që tradicionalisht njihet si qyteti i futbollit. Njerëzit duken të lodhur, të pamotivuar dhe të pashpresë, sepse politika si në nivel komunal ashtu edhe nivel shtetror nuk është lodhur as së paku sa për përfundimin e stadiumit, premtim ky tash e shumë vite. Ska as palestër. Të gjitha punët larg me finalizim!
Pra, jemi në një pikë ku i tërë qyteti nuk e ka asnjë objekt sportiv. Mos të flasim për fushën me bari sintetik, e cila gjithashtu është një tallje dhe përbuzje e madhe si për paraqitjet tona në tribinë ashtu edhe për ndeshjet e klubit në fushën e blertë!
Intelektualët 1998 megjithatë zotohen se nuk do të dorëzohemi. Vazhdon sakrifica, sepse rruga jonë nuk ndalon. Shumë, pak, afër, larg, shi, diell, borë … pavarsisht të gjithave do të jemi gjithnjë pas emrit DRITA. Vërtetë po përjetojmë ndoshta momentin më të vështirë historikisht si tifogrup, si qytet e si tifozë, të lodhur nga gënjeshtrat dhe mungesat e kushteve elementare, por që nga viti 1998 jemi betuar për diçka: të jemi “lojtari 12” i klubit futbollistik DRITA. Të jemi gjithmonë në përkrahje të klubeve me emrin DRITA!




