Komunikatë zyrtare e KB Drita
Me keqardhje të thellë njoftojmë opinionin sportiv, tifozët tanë dhe gjithë qytetarët se KB Drita nuk do të licencohet për garim në Superligën e Kosovës, jo për mungesë rezultatesh sportive, jo për mungesë organizimi apo vullneti, por për shkak të mungesës së një palestre të licencuar ku klubi të zhvillojë ndeshjet si vendas.
Ky është një moment jashtëzakonisht i dhimbshëm për klubin tonë. Pas një sezoni të jashtëzakonshëm, me shumë sakrificë, përkushtim dhe punë të palodhshme nga lojtarët, trajnerët, kryesia dhe të gjithë ata që kontribuan në rrugëtimin tonë drejt Superligës, sot po përballemi me një realitet të hidhur: ëndrra jonë po ndalet për arsye që nuk varen nga ne.
Palestra e qytetit vazhdon të jetë në proces renovimi, ndërsa, për fat të keq, nuk u arrit të sigurohej një alternativë nga institucionet komunale për zhvillimin e ndeshjeve. Kryesia e klubit ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të gjetur zgjidhje në komuna të ndryshme, duke zhvilluar takime dhe kontakte të shumta, por pavarësisht angazhimit maksimal, nuk kemi arritur të sigurojmë një palestër që do të na mundësonte licencimin.
Si kryesi e KB Drita, jemi thellësisht të zhgënjyer. Është e papranueshme që një klub i cili me meritë sportive fitoi të drejtën për të garuar në elitën e basketbollit të Kosovës, të mbetet jashtë vetëm për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe mungesës së përkrahjes institucionale.
Ky nuk është vetëm një dështim për KB Dritën. Ky është një dështim për sportin e qytetit tonë, për të rinjtë që ëndërrojnë të veshin fanellën e këtij klubi dhe për të gjithë ata që besuan se puna, sakrifica dhe suksesi sportiv do të shpërbleheshin.
Përkundër këtij zhgënjimi të madh, falënderojmë nga zemra lojtarët, stafin teknik, sponsorët, tifozët dhe çdo mbështetës që qëndroi pranë nesh në çdo hap të këtij rrugëtimi. Ju ishit forca jonë dhe arsyeja pse luftuam deri në fund.
KB Drita nuk do të dorëzohet. Do të vazhdojmë të punojmë me të njëjtin përkushtim, me shpresën se institucionet do ta kuptojnë më në fund rëndësinë e investimit në sport dhe se asnjë klub tjetër nuk do të përjetojë një padrejtësi të tillë.




