Shkruan: Faik Zyiazade
Si bëhej orientimi dhe si përcaktohej koha në të kaluarën
Kush ishin dhe si quheshin mjeshtrit që rregullonin orët
Për t’u orientuar në kohë dhe për të bërë përcaktimin e kohës, qytetarët në të kaluarën shërbeheshin zakonisht me orë publike të vendosura në kulla të sahatit, siç ishte edhe ajo në Gjilan, e vendosur në kambanore, e cila shënonte kohën e saktë dhe shërbente për orientimin e banorëve të qytetit, zejtarëve e tregtarëve dhe kalimtarëve të rastit. Kulla me orën e saj ishte simbol i themelimit të qytetit të Gjilanit dhe ishte ndërtuar nga familja Gjinolli.Ndërkaq, kambanat e saj ishin të një madhësie relative, e tingujt e saj dëgjoheshin edhe në fshatrat e afërme. Bazuar në të dhënat memoriale, rrëfimet e njerëzve të kohës, Kulla e Sahatit është rrënuar nga pushtetarë të kohës rreth vitit 1922-23. E rrënuan ata që nuk ia ditën vlerën, apo ata që deshtën ta varfërojnë e ta zhveshin Gjilanin nga vlerat e tij të lashta monumentale kulturore, historike e arkitekturore.
Zejtarët që merreshin me riparimin e orëve dhe shitblerjen e tyre quheshin Sahatçinjë -orëndreqës.
Orët ishin mekanike, orët e murit, të dorës, të xhepit,orë mekanike të mëdha nëpër xhamia, sahat kulla etj.
Sipas të dhënave të Esnafit Zejtar në Gjilan si mjeshtër i vjetër dhe i hershëm që ushtronte zanatin e sahatçiut që nga koha osmane ishte Metush ( Ahmet) Beg-Gjinolli, nipi i haxhi Hamdi beut.
Me Metushin nga viti 1915 si ndihmës mjeshtër apo kallfë punonte Feim Ahmeti. Sipas dokumenteve arkivore si sahatçi të vjetër në vitin 1921 ishin edhe Giga dhe Stevan Janiqijeviq-Niqikushin, Jovan Vuqkoviq-Arsiq. Oda Zejtare e Rrethit të Gjilanit më 1929, shënon 3 dyqane të orëndreqësve, po kaq orëtarë në Gjilan shënohen edhe nga viti 1945-1963. Dy nga dyqanet e kësaj zejeje ishin në rrugën kryesore të qytetit, ai i Ejup Daut Bajramit, i njohur në popull si Jup Sahatçiu, mjeshtër i rrallë në zë i cili nga viti 1924 ushtronte zejën e orëndreqësit e të cilën ia la trashëgim djemve të tij edhe pas shpërnguljes në Turqi. Orëndreqës tjetër në Gjilan me dyqanin e tij ishte Vladimir M. Bozhoviqi dhe dyqani i tretë ishte në një rrugë tjetër të qytetit, në të punonte Svetozar J. Vuçkoviq-Toza i cili e trashëgoi zanatin nga babai i tij Jovan Vuçkoviq.
Ndërkaq studiuesja Drita Statovci, në librin e saj për zejtarinë, shënon se më 1972 në Gjilan kishte 4 dyqane orëtarësh. Tani në kohën e sotme në Gjilan ka disa punëtori orëtarësh, që bëjnë shitjen e orëve, ndërrojnë pjesët e dëmtuara dhe mirren me riparim të orëve.
Disa anekdota pēr sahatçinjtë
1.Koha nuk blehet me para
Një burrë shkoi te një orëndreqës për të rregulluar orën e tij dhe e pyeti:
– Sa do të kushtojë kjo?
– Epo, një pesëdhjetë euro .
– Pesëdhjetë euro?! Epo, me ato para mund të blej një orë të re!
Orëndreqësi e shikoi atë mbi syzet e tij dhe i tha me qetësi:
– Atëherë vazhdo, bli një të re.
– Por nuk mund të gjej një të re si kjo askund mē për pesëdhjetë euro!
– E sheh – përgjigjet orëndreqësi. – Dhe unë e rregulloj kohën dhe orën për pesëdhjetë euro.
2. Sinqeriteti
Një zotëri hyri në dyqan dhe pyeti me zemërim:
– Orëndreqës, tre ditë më parë e solla orën për riparim, dhe është ende vonë!
– Zotëri – përgjigjet mjeshtri – ora juaj, thjesht vendosi të jetojë pak më ngadalë në këtë botë të shpejtë. Nëse doni të nxitoni, kjo është një tarifë tjetër.
3.Shaka e Orës së Thyer:
Një qytetar me orë të thyer shkon te sahatçiu dhe e pyet: “A mund të më tregosh se sa është ora?”. Sahatçiu e shikon murin ku nuk ka asnjë orë dhe i thotë: “Prit sa të dal në ballkon dhe t’a pyes fqinjin, se unë vetēm i ndreq orët, nuk i mbaj për vete.”
Shēnim: Më gjerësisht rreth zejës së Sahatqinjëve-orëpunuesëve e keni librin “Zejtaria e Gjilanit” i cili gjendet në shitje tek libraritë “Alfabeti” tek shkolla “Thimi Mitko” dhe libraria “Abetarja” përballē shkollës Selami Hallaqi”.Në Prishtinë tek libraria “Artini-Toena” tek instituti Albanologjik.





