Futboll

Drita i rikthehet fitoreve

Në ndjekje të titullit kampion, futbollistët e Dritës nga Gjilani kanë patur një udhëtim të vështirë në Stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, ku janë përballur me ekipin FC Malisheva, që po lufton për t’i ikur zonës së rrezikshme.

Në një pjesëlojë të barabartë, ku Dritës VAR-i ia anuloi një gol pas pozitës së palejueshme të maqedonasit Marko Simonovski, rast që duhet veçuar është edhe intervenimi i Faton Malokut, i cili në vijën e gjashtëmbëdhjetëmetërshit largoi topin me dorë, duke i shpëtuar një goli dhe kartonit të kuq.

Në pjesëlojën e dytë Drita e nisi më mirë dhe nuk vonoi shumë dhe Drita kaloi në epërsi. Pas një harkimi nga e majta e Ajzerajt në minutën 49, në brendi më së larti kërceu Marko Simonovski, i cili me kokë gjuajti në anë e djathtë të portës vendase dhe shënoi për 0:1.

Në minutën 60, Dumani i Malishevës ndërhyri në mënyrë të palejueshme ndaj Fazliut dhe pasi konsultimit me VAR-in, gjyqtari vendosi për dënimin më të rëndë në futboll – penalti. Nga 11 metra i pagabueshëm ishte Astrit Fazliu, që gjuajti në këndin e djathtë të portierit Gashi për rezultatin 0:2.

Në minutën 81, pas një gabimi të mbrojtjes së Dritës, Sobovale shpërtheu nga e djathta, harkoi në brendi për tokë dhe topi arriti deri te Mark Olivier, i cili me një gjuajtje të saktë qëlloi këndin e epërm të majtë të Malokut për rezultatin 1:2.

You Might Also Like