Drenica ka hyrë në ballafaqim me Dritën me të vetmin qëllim, që të mos pësojë gol dhe mundësisht me ndonjë kundërsulm të mundshëm të shënojë, por e tërë kjo taktikë e tyre u prish kur në minutën 35, pas një ndërhyrje të Agim Zekës në Blend Baftiun, drenicku u ndëshkua me karton të kuq dhe u desh që të lëshojë lojën. Megjithatë, kryetrajneri i Drenicës, Bledar Devolli, ngushtoi edhe më tepër rrethin në mbrojtje dhe pjesa e parë ka përfunduar pa gola 0:0, në një gjysmëpjesë pa raste të mira shënimi.
Në pjesëlojën e dytë, Drita me të gjitha forcat është hedhur në sulm dhe në minutën 47, pas një harkimi të Krasniqit nga e djathta, Simonovski gjuajti me kokë, por topi shkoi mbi portë.
Goli i parë për Dritën ka ardhur në minutën 57, kur pas një harkimi nga këndi të Almir Ajzerajt, më së larti u shkëput Leonard Vitija që me kokë nguliti topin në rrjetë për 1:0. Në minutën 63, pas një gjuajtje dënimi nga e djathta, portieri Gjoka i Drenicës me një intervenim të shkëlqyeshëm shpëtoi gol të sigurt. Drita pati rast të mirë të shënojë edhe në minutën 70, por Broja nga afërsia gjuajti mbi portë. Në minutën 75, Muharrem Jashari ka fituar një duel në anën djathtë dhe pasi ka shpërthyer në brendi ka gjetur Baftiun, i cili me gjuajtje të saktë futi topin në rrjetë dhe ndryshon rezultatin në 2:0. Një bashkëveprim i shkëlqyeshëm në mes të lojtarëve sulmues të Gjilanit e në fund Muharrem Jashari ka realizuar nga afërsia, duke qëlluar këndin e poshtëm të djathtë të Drenicës./kryelajmi.com/.